Një virologe në Universitetin e Oksfordit thotë se megjithëse Coronavirus-i ndryshon shumë shpejt, variantet e tij kanë një kufi, por ende nuk dihet se kur mund të arrihej në këtë pikë. Doktoresha Emilia Skirmuntt thotë gjithashtu se do të duheshin disa javë për të kuptuar më mirë nëse varianti i ri Omicron, shkakton forma më të rënda, apo më lehta të sëmundjes, krahasuar me variantet e tjera. Doktoreshë Skirmuntt bisedoi me televizionin britanik Sky News.
Bota po përballet me mundësinë e një sezoni të dytë festash të fundvitit me një numër të madh infeksionesh me COVID-19, ndërsa familjarë e miq, po mblidhen bashkë për të festuar.
Shkencëtarët nuk kanë dalë ende në përfundimin nëse Omicroni shkakton raste të rënda të sëmundjes, por dinë se vaksinimi mund të ofrojë mbrojtje të fortë, kundër simptomave të rënda dhe vdekjeve.
“Ka disa prova joshkencore se ai shoqërohet me simptoma më të lehta krahasuar me variantet e tjera, por realisht nuk kemi të dhëna të mjaftueshme. Disa të dhëna sugjerojnë të kundërtën, se ai është i njësoj me Deltën për shembull. Ndaj nuk mund të themi asgjë për momentin”, thotë Doktoreshë Emilia Skirmuntt virologe në Universitetin e Oksfordit.
Gjithashtu ka prova se disa lloje vaksinash, veçanërisht Moderna, kanë treguar efikasitet më të madh kundër virusit. Gjë që doktoreshë Emilia Skirmuntt e mbështetet, por ajo shton se shumë prej vaksinave në përdorim ofrojnë mbrojtje.
“Pfizer-i gjithashtu është efektiv kundër Omicron-it, dhe shumica e vaksinave që kemi aktualisht duket se pas dozës përforcuese, funksionojnë shumë mirë ndaj këtyre varianteve”, shton ajo.
Shkencëtarët thonë se Omicron-i përhapet më lehtë se variantet e tjera. Ai tashmë është kthyer në një variant dominues në SHBA dhe Angli.
“Ky është një lloj virusi që ndryshon me shpejtësi, por do të ndryshojë edhe më shpejt, sa më i madh të jetë numri i infeksioneve. Çdo infeksion është një mundësi që të lindë nje varianti i ri, i cili do të jetë edhe më i transmetueshëm se variantet që shohim aktualisht. Por nuk mund të ndryshojë përgjithmonë, sepse duhet të jetë i ngjashëm me variantet aktuale. Megjithatë, ne nuk e dimë se kur do të ndodhë ky kufizim, se kur do t’u vijë fundi varianteve”, thotë virologia e Universitetit të Oksfordit.
Studimet paraprake sugjerojnë se të imunizuarit kanë nevojë për një vaksinë përforcuese për të parandaluar infektimin me Omicron, por edhe pa dozën shtesë, vaksinimi duket se ofron një mbrojtje të mirë kundër rasteve të rënda të sëmundjes apo vdekjeve.