Eksperti i emergjencave: Në disa zona banorët kanë mbetur të izoluar

Prishtinë | 06 Jan 2026 | 10:02 | Nga Ekonomia Online

Njohës i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti ka thënë se reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar vërshime serioze në shumë pjesë të Kosovës,  e kështu ka shkaktuar qarkullimin rrugor.

Ai ka thënë se përball kësaj situate institucionet kompetente duhet të reagojnë menjëherë dhe pa vonesa.

“Reshjet e dendura dhe të pandërprera të shiut kanë shkaktuar vërshime serioze në shumë pjesë të Kosovës, duke paralizuar qarkullimin rrugor, përmbytur ura dhe rrugë lokale, si dhe duke vënë drejtpërdrejt në rrezik jetën dhe pronën e qytetarëve. Në disa zona, banorë kanë mbetur të izoluar, ndërsa uji ka depërtuar në oborre, shtëpi dhe infrastrukturë kritike. Përballë kësaj situate të rënduar, institucionet kompetente duhet të reagojnë menjëherë dhe pa vonesa, duke rritur kapacitetet logjistike, duke angazhuar maksimalisht ekipet në terren dhe duke siguruar monitorim të pandërprerë të zonave me rrezik të lartë. Informimi i qytetarëve duhet të jetë i saktë, i rregullt dhe në kohë reale, ndërsa ndërhyrjet urgjente në ura, kanale kulluese dhe rrugë janë tashmë të pashmangshme. Duke qenë se në disa rajone situata tashmë ka marrë përmasa emergjente, ngritja e shtabeve emergjente nuk është më çështje vlerësimi, por domosdoshmëri, për të siguruar koordinim të plotë ndërinstitucional, menaxhim efikas të resurseve dhe, mbi të gjitha, mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve”, ka shkruar Ahmeti.

Të ngjashme