Admir Molla, njeriu i cili ka raporte me kryeministrin Albin Kurti e me të cilin ky i fundit flet edhe për raportet që Kosova duhet t’i ketë me Amerikën ka fshirë “cicërimën” e tij në twitter ku i ka bërë thirrje Ambasadorit Amerikan, Philip Kosnett, që të mos përzihet në punët e brendshme të Kosovës.
Këtë reagim, tashmë të shlyer, Molla e kishte bërë pas deklaratës së diplomatit amerikan Konsett, se Kosova e ka detyrim themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Gazeta Express.
Në pjesën e parë Molla kishte shkruar se si Ambasadori Amerikan, Philip Kosnett, nuk duhet të përfshijë veten në punët e brendshme të Kosovës.
“Amerikanë s’jetojnë në Kosovë. Shumica e tyre kurrë s’kanë dëgjuar për Kosovën. Ambasadori i SHBA-së nuk duhet ta përfshijë veten e tij në punët e brendshme të Kosovës. Secili vend ka të drejtë për sovranitetin e vet pavarësisht madhësisë. Franca e ka çliruar Amerikën, por a është SHBA-ja gjithmonë borgjlike? Jo.”, ka shkruar Molla.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ditë më parë ka thënë se SHBA-ja beson që Kosova ka detyrim themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe se historia s’ka filluar me krijimin e Qeverisë Kurti. Një deklaratë e tillë e Kosnett ka nxitur reagime të shumta, derisa vetë Kurti në kundërpërgjigje, ka insistuar se Kosova s’mund të themelojë Asociacion njëetnik.