Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 10.2 milionë euro

Prishtinë | 24 Tet 2018 | 14:48 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shtator 2018.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 20.2% në muajin shtator 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 257.3 milionë Eurosh, krahasuar me deficitin prej 213.9 milionë Eurosh në vitin 2017. Eksporti mbulon importin me 12.5%.

Eksporti i mallrave në muajin shtator 2018 kishte vlerën 36.6 milionë Euro, ndërsa importi 293.9 milionë Euro, që është një rritje prej 7.6% për eksport, dhe një rritje prej 18.5% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 42.6% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.4% e përbëjnë produktet minerale; 9.0% e përbëjnë produktet bimore; 2.8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 2.4% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.0% e përbëjnë produktet minerale; 13.0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 7.8% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.1% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.6% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 10.2 milionë Euro, ose rreth 28.0% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 14.1%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.6%), Holanda (3.4%), Sllovenia (2.2%), Danimarka (2.1%).

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 124.0 milionë Euro, ose 42.2% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 19.6%. Importet me pjesëmarje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.1%), Italia (5.9%), Spanja (3.7%), Greqia (3.4%), Sllovenia (2.9) etj.

Në muajin shtator 2018, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 15.0 milionë Euro, ose 41.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-9.8%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (17.0%), Maqedonia (11.2%), Serbia (6.9%), Mali i Zi (3.6%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shtator 2018, arritën në 82.2 milionë Euro, ose 28.0% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10.2%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (12.8%), Shqipëria (6.7%), Maqedonia (5.4%) dhe B&H (2.6%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 11.3 milionë Euro, ose 30.9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport, vlen të përmenden: India (21.2%) dhe Zvicra (5.8%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 87.6 milionë Euro, ose 29.8%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (9.5%) dhe Kina (9.5%).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme