Trefishimi i prodhimit të agrumeve në vend gjatë viteve të fundit, ka rritur eksportin e tyre kryesisht në vendet e Bashkimit Europian.
Sipas të statistikave zyrtare, gjatë vitit 2017 rreth 38 mijë tonë portokaj janë eksportuar nga Shqipëria drejt vendeve anëtare të BE-së. Ndërsa gjatë vitit 2018, vetëm nga zona e Xarrës, Sarandë, u eksportuan 25 mijë ton mandarina në të gjithë Europën.
Eksportet e agrumeve “made in Albania” furnizonë tashmë jo vetëm tregun rajonal, Kosovë, Maqedoni por, është konsoliduar tashmë eksporti i mandarinave nga Shqipëria drejt Polonisë, Çekisë, Gjermanisë, Ukrainës.
Sipas INSTAT, në vitin 2016, sasia e prodhuar në vend e agrumeve (portokaj, mandarina,) shënoi 40 mijë tonë, nga 13 mijë tonë që ishin gjashtë vite më parë, duke ndikuar në uljen e importit të tyre dhe rritjen e eksportit krahas furnizimit të tregut vendas.
Eurostat bën të ditur se, Shqipëria është një ndër 10 shtetet mesdhetare në Europë, ku prodhohet portokalli. Shqipëria është në vendin e 8-të për nga prodhimi vjetor, më mirë se Malta, që ka një sipërfaqe bindshëm më të vogël të kultivimit dhe se Kroacia, vend që ka një klimë aspak favorizuese, si dhe sipërfaqe të vogël kultivimi si rrjedhojë. Ndërkohë që kryeson Spanja, Italia dhe Greqia për super prodhimin e agrumeve, bën të ditur agjencia e statistikave të Bashkimit Evropian.