Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës hap ekspozitën “Arsimi shqiptar nëpër dokumente arkivore”.
Aty do të paraqiten fotografi të mësimdhënësve të parë të vendit por edhe dokumente arsimore.
Kryeshefi ekzekutiv i kësaj agjencie Ramë Manaj ka thënë për Klan Kosova se kjo bëhet sa për t’i kujtuar kontribuuesit e arsimit.
Ekspozita të martën dhe mërkurën do të jetë e hapur në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, ndërkaq të enjtën dhe premten do të zhvendoset në ambientet e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.
Numri më i madh i mësimdhënësve në fotografi sipas tij do të jetë nga Ferizaj pasi siç tha Manaj janë njerëzit e kësaj komune që kanë dërguar më së shumti materiale të vjetra që duhet të ruhen në Agjencinë Shtetërore të Arkivave.
Ai tha se shumica e materialeve të rëndësishme jo vetëm në fushën e arsimit por edhe të tjerat janë jashtë Arkivave ndaj bëri thirrje që të gjithë poseduesit e materialeve t`i dërgojnë ato në këtë institucion.