Sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho, tashmë e ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për Elbenita Kajtazin. Ajo i ka ndihmuar sopranos kosovare në shumë audicione dhe përgatitje rolesh.
I fundit është ai për Violettën në operën e njohur “La Traviata” të Guiseppe Verdit, me të cilin ajo do të debutojë të shtunën e kësaj jave. Por jo vetëm kaq. Kajtazi, e cila dita-ditës me talentin dhe zërin e saj po ngjitet nëpër skena të mëdha muzikore, është bërë pjesë e kompanisë menaxheriale për artistë të operës, “Zemsky Green”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Nën ombrellën e kësaj kompanie të njohur amerikane është edhe vetë Jaho e operistë të njohur si Jonas Kaufman, Anja Herteros e shumë të tjerë.
Kajtazi, e cila muajin e kaluar zuri vendin e tretë dhe mori çmimin e publikut në garën prestigjioze të operës “Glyndebourne Opera Cup”, tani po vazhdon karrierën me një tjetër sukses, duke debutuar në një prej roleve më të vështira operistike.
Me këtë po i bëhet ëndrra realitet. Do të ngjitet në skenën e shtëpisë operistike “Aalto – Musiktheater” në Essen të Gjermanisë, pjesë e së cilës është për më shumë se një vit. Kajtazi veçse është në finalizim të përgatitjeve për rolin, derisa ushtrimet e fundit është duke i bërë me orkestër, për të sjellë në skenë një version të ri të “La Traviatës”.
Kajtazi prej fillimit të vitit 2019 do t’i bashkohet shtëpisë së njohur operistike “Staatsoper Hamburg”.