Pas suksesit në Angli, ku në një garë prestigjioze zuri vendin e tretë dhe mori çmimin e publikut, sopranos kosovare Elbenita Kajtazi i ishin ofruar shtëpi operistike për të nënshkruar kontrata. Një prej tyre tashmë është zyrtarizuar.
Marrëveshjet që nisën në muajin mars gjatë garës “Glyndebourne Opera Cup”, i kurorëzoi tek tash, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kajtazi ka nënshkruar kontratë me një prej shtëpive operistike më prestigjioze në botë, “The Glyndebourne Opera House” në Angli. Si pjesë e kësaj shtëpie operistike do të performojë në vitin 2020 në rolin e Adinës nga opera “L’elisir D’amore” të Donizettit.
Shtëpia operistike “Glydebourne” në Angli që nga viti 1934 ka shërbyer si hapësirë për festivalin vjetor “Glydebourne Festival Opera”.
Këtë sukses Elbenita Kajtazi e ka cilësuar si “ëndërr të bërë realitet”.
“Është mundësi e mrekullueshme të bëj debutimin tim në një rol kaq të madh, në një shtëpi operistike me kaq rëndësi të madhe në Angli. ‘Glyndenbourne Opera House’ është në po të njëjtin nivel dhe e po të njëjtës rëndësi sikur ajo e ‘Royal Opera House’.