Elektronika përbënë mbi 40 për qind të kostos së veturave të reja, sipas disa hulumtimeve të reja, të bëra nga ‘Deloitte’, ndërsa pritet që kjo të rritet deri në 50 përqind gjatë dekadës së ardhshme.
Elektronika në vetura, siç janë sensorët e parkingut, sistemi i argëtimit e sistemi ABS është përllogaritur që përbënë 5 përqind të kostos në veturat e reja në vitin 1970.
Këto shifra kanë arritur në 10 përqind në vitin 1980, e më pas duke u rritur në 15% në 1990-ën.
Në 2000-ën kjo shifër ka arritur në 22% të kostos totale, kur sistemi i jastëkëve të sigurisë ‘airbags’, ABS-i e programet elektronike u bënë standard në vetura.
Në 2010-ën, elektronika përbënte 35 përqind të kostos së veturave të reja, me sisteme të asistimit në vozitje e sisteme të avancuara të argëtimit.
Tani, në 2020-ën, elektronika në veturat e reja përbënë 40 përqind të kostos, dhe kjo vetëm pritet të rritet gjatë viteve të ardhshme.
Sipas këtij hulumtimi, të bërë nga Deloitte, deri në 2030-ën elektronika do të përbëjë 45 deri 50 përqind të vlerës së veturave të reja.