Prokurori special, Elez Blakaj, i cili ishte dorëhequr pasi kishte dorëzuar një draft-aktakuzë për rastin e njohur si “veteranët e rrejshëm”, ka reaguar pas shpalljes si të pafajshëm të anëtarëve të Komisionit verifikues për veteranët.
Në një shkrim në Facebook, Blakaj ka thënë se “ashtu siç pritej edhe ndodhi”. Ai e ka cilësuar vendimin si një mundësi tjetër të humbur për t’ia kthyer dinjitetin veteranit të UÇK-së.
“Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe, madje do të ishte naivitet po të prisja ndonje një vendim tjetër. Edhe një mundesi e humbur për t’ia kthyer dinjitetin veteranit të UÇK-së, pas një procesi të degraduar nga lakmiqar dhe tregtar votash, duke tentuar të mbahët peng e vërteta të cilën qytetari e din shumë mirë!”, ka shkruar në fillim ai.
Ai ka thënë se në këtë rast ka pasur prova të qarta e bindëse për fajësinë e të pandehurve.
“Të nderuar qytetarë, miq e ju gazetarë të shumtë që keni shkruar, ky është një rast klasik me prova të qarta, bindëse, të rregullta e të paranueshme dhe me vëllimin më të madh të paraqitur ndonjëherë, të cilat saktë e provojnë veprën penale dhe fajësinë e të pandehurve të përfshirë në këtë rast, pavarsishtë përpjekjeve dhe ndihmës qe me improvizime të “pastrohen” nga kjo përgjegjësi, ani pse kundërmimi nga era e krimit u vie nga kilometra larg! Si është e mundur që asnjë provë materiale e këtij rasti, e në veçanti asnjë audio-inçizim nuk rrjedhi në publik, në ndonjë portal apo gazetë, ashtu siç bënin në fillim të këtij procesi me fabrikimin dhe publikimin e listave, emrave e të dhënave personale, duke nxitur urrejtje të skajshme në adresën time për hetimin e këtij rastit, me qëllim që përgjegjësit të “amnestohen” dhe fshihën nga kjo përgjegjësi! Pse nuk ka asnjë rezultat për hetimin e atyre të cilët kanë orkestruar, ndihmuar, dhe publikuar kundërligjshëm te dhënat personale të mijëra personave, të cilët sot janë të rrezikuar sa herë që udhëtojnë në vendet fqinje! E po kjo për ironi ta kujton atë shprehjen e famshme “Nëse ke prova dërgoj në Prokurori”!!!”, ka shtuar Blakaj.
Blakaj më tej ka shtuar se Komisioni Qeveritar për Verifikim të Statusit të Veteranit të UÇK-së, “jo vetëm qe nuk e ka përfunduar punën por edhe për atë pjesë të punës të deklaruar si të përfunduar është tallur me procesin!”.
Ai ka shtuar se në këto lista ka pasur krijime të brigadave të cilat s’kishin ekzistuar gjatë luftës. Ka thënë se me to befasohen edhe vetë komandantët.
Sipas Blakajt, ka pasur garë mes rajoneve kush po bën më shumë veteranë luftëtarë e se ka pasur raste kur është fituar statusi i veteranit edhe për çështje votash.
Sipas tij, anëtarët e komisionit kanë akuzuar njëri-tjetrin se pjesë e listave ka pasur edhe pjesëtarë të UDB-së.
Ka shtuar se invalidë të UÇK-së janë shpallur edhe njerëz të cilët janë lënduar pas luftës e se viktima civile janë shpallur dëshmorë.
Blakaj ka thënë se ka pasur tallje me ankesat dhe janë injoruar plotësisht procedurat dhe ligji.
Në reagimin e tij në Facebook, Blakaj ka sfiduar ish-anëtarët e këtij komisioni të publikojnë video-incizimet e mbledhjeve.
Të martën, 12 të akuzuarit, ish-anëtarë të Komisionit për verifikim të veteranëve për “fryrje të listave” u shpallën pafajshëm. Të akuzuar ishin: ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Dëmi i pretenduar i kësaj aktakuze ishte mbi 88 milionë euro, të cilat ishin shkuar për pagesa për ata që Prokuroria Speciale i kishte cilësuar “veteranë të rrejshëm”.
Prokurori special, Elez Blakaj, ishte dorëhequr, me arsyetimin për presion në këtë proces, por kishte dorëzuar një “draft-aktakuzë” për këtë rast. Si emra të përfshirë në procesin e ngritjes së kësaj aktakuze kishte përmendur ish-shefat e tij, atëkohë kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, kolegun e tij të atëhershëm, tash kryeprokuror në Prokurori Speciale, Blerim Isufaj, e kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi.