Elezi: 19 persona nga rajoni do të shpallen non-grata, përfshirë politikanë nga Kosova

Prishtinë | 17 Kor 2023 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Në një intervistë për Euronews Albania, analisti Bedri Elezi ka deklaruar se 19 personalitete në Ballkanin Perëndimor do të shpallen non-grata së shpejti nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ai pretendon që në këtë listë të gjatë personalitetesh nga rajoni ynë janë edhe politikanë nga Shqipëria dhe nga Kosova.

“Lista vazhdon të publikohet dhe janë një numër rreth 19 persona të cilët priten të shpallen non-grata. Nga i gjithë Ballkani Perëndimor mendohet të jenë diku 19 persona, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë…”, është shprehur Elezi.

Sipas analistit, kjo shpallje vjen pas një hulumtimi 5-vjeçar të bërë nga shërbimet sekrete amerikane në rajonin tonë.

“Pritet të kemi në Shqipëri, pritet të kemi në Kosovë, pritet të kemi në Malin e Zi, në Maqedoninë e Veriut, Bosnje, në të gjithë Ballkanin persona non-grata”, thotë ai.

Elezi beson që kjo do të bëhet sepse këta persona kanë cënuar marrëdhënien me ShBA-të, sigurinë apo interesat e saj në Ballkanin Perëndimor.

Shefi famëkeq i shërbimit famëkeq sekret serb BIA, Aleksandër Vullin, së fundi është sanksionuar nga ShBA-të për shkak të korrupsionit dhe afërsisë së tij me politikën ruse.

Të ngjashme