Elezi: Në QNR Fillon numërimi i votave të diasporës, verifikimin dhe numërimin e përfundojnë në QKN 30 komuna

Prishtinë | 17 Tet 2025 | 18:13 | Nga Ekonomia Online

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur procesi i numërimit të votave të dërguara nga diaspora për zgjedhjet lokale të mbajtura më 6 tetor 2025, raporton Ekonomia Online.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se janë tërhequr gjithsej 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, prej të cilave 29,636 janë aprovuar, ndërsa 3,977 janë refuzuar – kryesisht për mungesë të dëftesës së regjistrimit.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i numërimit të votave që i takojnë votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025. Fillimisht, të hënën dhe të martën (13 dhe 14 tetor) është bërë tërheqja e pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale. Tërhqja e pakove me fletëvotime është bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga këto 23 kuti postare, janë tërhequr 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat i janë nënshtruar procesit të vlerësimit. Vlerësimi ka për qëllim të vërtetojë se pako është dërguar nga votuesi i regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës. Nga të dhënat që kemi nga shërbimi votues, numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë aprovuar është 29,636, ndërkaq janë refuzuar 3,977. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 3,660 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja. Nga ky numër i përgjithshëm i pakove të supozuara me fletëvotime, nuk mund ta dijmë për momentin se sa është numri i saktë i fletëvotimeve që i takojnë zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe sa prej tyre i takojnë zgjedhjeve për Kuvende Komunale. Një votues ka pasur të drejtë të dërgojë nga një fletëvotim për secilin lloj të zgjedhjeve. Hapja e këtyre pakove/zarfeve do të bëhet nga ekipet e numërimit dhe në fund do të kemi statistika për çdo komunë”, deklaroi Elezi.

Elezi theksoi se hapja dhe numërimi i pakove do të bëhet nga ekipet e QNR-së dhe më pas do të publikohen statistikat për çdo komunë.

“Gjithashtu, në këtë konferencë, njoftojmë edhe për ecurinë e aktiviteteve në Qendrat Komunale të Numërimit. Deri më tani (e premte, ora 16:00), aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 30 komuna: Hani i Elezit (e hënë), Junik, Mamushë, Zveçan, Raillug, Partesh (e martë), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj (e mërkurë), Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas, Vushtrri (e enjte), Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë e Jugut dhe Podujevë (e premte). Sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 16:00 të ditës së sotme, e premte, janë verifikuar rezultatet për 2,303 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjetet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 2,308 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 2,308, janë numëruar votat e kanidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Pra, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 4,611.”, ka theksuar ai.

Të ngjashme