12 ditë pas ditës së zgjedhjeve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka arritur që ta përfundojë numërimin e votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit të 2025-ës, raporton Ekonomia Online.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Ekonomia Online ka thënë se tani palët kanë 48 orë kohë për t’u ankuar, e ku pas përfundimit të këtyre, atëherë KQZ do t’i shpall rezultatet përfundimtare.
“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, nga ana teknike KQZ është e gatshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Megjithatë, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tha Elezi.
Elezi tha se numërimi i votave për 12 ditë, përbën një kohë shumë të shpejtë dhe efikase.
“Të premten, në ora 02:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi me postë, jashtë Kosovës. Numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Përfundimi i krejt këtij procesi vjen vetëm 12 ditë pas ditës së zgjedhjeve, përbën një kohë shumë të shpejtë dhe efikase të përmbylljes së procesit të numërimit”, tha Elezi.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën me 28 dhjetor të 2025-ës, pasi fituesi i zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit të 2025-ës, që ishte Vetëvendosje nuk arriti që ta formojë Qeverinë, ndonëse dy pati dy përpjekje, njëherë duke propozuar për kryeministër liderin e tyre Albin Kurtin e së dyti, njeriun e dytë pas liderit, Glauk Konjufca. Por asnjëri e as tjetri nuk morën 61 vota, të cilat do ta mundësonin formimin e Qeverisë.
Vetëvendosje është fitues i këtyre zgjedhjeve, por këtë herë, kjo parti rezulton të ketë marrë besimin e 486,994 qytetarëve apo 51.11%. Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me një përqindje 20.19 % të votave. Lidhja Demokratike e Kosovës ishte humbësja më e madhe e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Kjo parti ka rënë në 15 ulëse nga 20 sa kishte. Ajo mori 13.23 për qind të votave.

