Elezi: Sot përfundon numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta

Prishtinë | 06 Jan 2026 | 17:29 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka konfirmuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi me kusht në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

“Sot përfundon numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta”, ka deklaruar Elezi për Ekonomia Online..

Sipas tij, procesi i numërimit të këtyre fletëvotimeve pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme. Deri më tani, të martën më 6 janar 2026, në ora 16:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 49 nga gjithsej 57 vendvotime, në të cilat ishte mundësuar votimi me kusht.

“Nga 57 vendvotime me kusht në 38 komuna të vendit, në sistem janë evidentuar mbi 9 mijë e 900 votues të regjistruar për të votuar me kusht. Ndërkohë, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2 mijë e 860”, tha ai.

Ai shtoi se, paralelisht me procesin e numërimit, në platformën e KQZ-së për rezultate kanë filluar të shfaqen edhe mandatet e fituara nga subjektet politike, sipas dinamikës së numërimit të fletëvotimeve.

Të ngjashme