Diell Mehmedi nuk ka arritur të kalojë në rrethin e dytë të garave të tenisit, që po zhvillohen në
Festivalin Olimpik Evropian për të rinj (EYOF), “Gyor 2017”.
Garuesi ynë u mposhtë nga irlandezi, Connor Gannon, 2:0 në sete, 6:1 dhe 6:0.
Dielli e nisi mirë ndeshjen, duke fituar gejmin e parë, dhe ishte afër ta fitojë edhe të dytin, por më
pas kundërshtari i tij tregoi përvojë dhe përqendrim më të madh.
Trajneri i tij, Argjend Lecaj, thotë se përvoja e bëri të veten.
“Irlandezi fitoi me meritë, kurse dallimin e bëri përvoja. Dielli e nisi mirë ndeshjen, por më pas nuk e
kishte përqendrimin e duhur, sidomos në momentet vendimtare kur ishte afër fitimit të gemave”, deklaroi Lecaj.
Sot garon tenistja tjetër, Blearta Ukëhaxhaj, e cila ishte paraparë të zhvillonte ndeshjen të hënën, por shkaku i reshjeve të shiut do të luajë nesër.
Ajo takohet me suedezen, Olivia Malm.