Edhe po t’i mundësohej të zgjidhte vetë dikë që ta përfaqësonte në politikëbërjen e SHBA-së, Kosova vështirë se do të gjente më të denjë sesa Eliot Engel. Më shumë se tri dekada më parë, Eliot Engel u ngjit në Dhomën e Përfaqësuesve nga vendi i tij në Asamblenë e Shtetit të New York-ut kur ai mundi Mario Biaggin, kongresmenin më jetëgjatë në Bronx.
Engel, 73 vjeç, së fundmi ishte një nga demokratët më të fuqishëm në Kongres si kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës. Pikat e tij të axhendës përfshinin drejtimin e një hetimi mbi vendimin e fundit të Presidentit Donald Trump për ta shkarkuar inspektorin e përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, por ajo bie në vëmendje, është angazhimi i tij i vazhdueshëm për Kosovën.
Kosova tashmë e ka humbur mbështetësin më të madh në Kongresin e SHBA-së, pasi Eliot Engel u largua nga Capitol Hill pas 32 vjetësh në detyrë.
Engel, demokrat, e ka përfaqësuar një pjesë të Bronxit – një lagje e qytetit të New York-ut me një popullsi të madhe dhe politikisht aktive shqiptare etnike – që nga 1989 dhe ishte udhëheqës në Kongres duke u angazhuar të ‘mblidhte’ mbështetje për njohjen e pavarësisë së Kosovës të shpallur në vitin 2008.
Mbështetja e tij e palëkundur për Kosovën gjatë dekadave e ka bërë atë një njeri të famshëm në shtetin e vogël të Ballkanit. Në anën tjetër, dashuria reciproke Kosovë-Engel e ka bërë këtë të fundit një figurë të urryer në Serbinë që ende nuk e pranon Kosovën si shtet dhe lobon kundër njohjes së saj nga bashkësia ndërkombëtare.
Por largimi i Engel nga Dhoma e Përfaqësuesve – ku ai së fundmi kryesoi Komitetin e Punëve të Jashtme të dhomës së ulët, duke përdorur pozicionin e tij për ta ndëshkuar Beogradin dhe për ta mbrojtur Kosovën – mund të mos jetë një rast që Serbia të gëzohet tani dhe Kosova ta kuptojë se ka humbur një përfaqësues të jashtëzakonshëm.
Megjithatë, Engel ka thënë se nuk e ka në plan të pensionohet pas humbjes së tij të befasishme ndaj një drejtori shkolle në zgjedhjet demokratike në fund të vitit që sapo shkoi. Ai tha se është pyetur nëse dëshiron të jetë ambasador apo nënsekretar në administratën e Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe se po i shqyrton opsionet e tij, duke ngritur sërish frikën në Beograd se ai mund të vazhdojë të ndikojë në politikën e SHBA-së në Ballkan.
“[Ka] shumë gjëra të ndryshme që mund të bëj. Unë nuk do të marr ndonjë vendim tani, por, e dini, po mendoj për këtë”, i tha ai Washington Examiner në fillim të dhjetorit. “Ndoshta bëni diçka me administratën. Disa njerëz kanë sugjeruar se mbase mund të jem ambasador”.
Engel hyri në Kongres kur Jugosllavia po ndahej me dhunë përgjatë vijave etnike dhe u zhyt në shumë mosmarrëveshje rajonale të vendit të tij në Komitetin e Punëve të Jashtme, duke fituar përfundimisht një reputacion si ekspert i Ballkanit.
Ai ishte ndër ligjvënësit e parë të SHBA-së që i bëri thirrje administratës së Presidentit Bill Clinton për të ndërhyrë më 1999 për t’i ndaluar forcat serbe në Kosovë dhe ishte pa dyshim avokati më i hapur në Kongres për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga SHBA-ja një dekadë më vonë.
Engel vazhdon të luftojë për drejtësi për vëllezërit Bytyqi, tre shqiptaro-amerikanë që luftuan për Kosovën dhe u ekzekutuan nga policia serbe më 1999. Vrasësit e tyre nuk janë ndjekur penalisht ende.
Së fundmi, ai ka postuar në “Facebook” fjalimin e mbajtur pak ditë më parë, ku nuk harroi ta përmendte Kosovën, që siç tha vetë, zë një vend të veçantë në zemrën e tij.
Duke u ndalur te ndërhyrja e administratës Clinton në vitin 1999, Engel tha se u bë e mundur ndalja e gjenocidit në Kosovë. Ai thotë se gjithmonë e ka përkrahur idenë e sovranitetit të Kosovës.
“Ka disa fusha ku më pëlqen të mendoj se e kam bërë diferencën. Gjithnjë kam pasur një vend të veçantë në zemër për Ballkanin, e në veçanti Kosovën. Në vitin 1999, unë mbështeta fuqimisht ndërhyrjen e Administratës së Clintonit në Ballkan. Ne e dimë që kjo gjë ndaloi një gjenocid. Që atëherë, unë kam qenë një përkrahës për sovranitetin dhe pavarësisë së Kosovës. Ai vend ka bërë hapa të jashtëzakonshëm dhe njihet nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Japonia dhe shumë kombe të tjera të rëndësishme”, u shpreh Engel.
Pasi Engel e la Kongresin amerikan, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, duke e falenderuar atë, e uroi atë për të ardhmen.
“Faleminderit për shërbimin dhe miqësinë tuaj të paçmuar, Kongresmen EliotEngel! Njohja juaj e nevojës për drejtësi dhe vendosmëria juaj në mbështetjen e ndërtimit të shtetit të Kosovës ishin të domosdoshme. Njerëzit tanë janë përjetësisht mirënjohës dhe ne ju dëshirojmë më të mirën në përpjekjet tuaja të ardhshme”, shkroi Osmani në Twitter.
Edhe kryetari në detyrë i PDK-së dhe kandidati i këtij subjekti politik për kryeministër, Enver Hoxhaj, shprehu falenderim për Engel, të cilin e cilësoi të pazëvendësueshëm.
“Përjetësisht falenderues ndaj mikut të madh të shqiptarëve Eliot Engel! Autoritet i pazavendësueshëm politik dhe moral për të vërtetën për Kosovën dhe shqiptarët në Amerikë dhe më gjerë!”, shkroi Hoxha.
Ndërsa ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, tregoi se në Washington të gjithë dinë diçka për Kosovën pasi “Engel ka folur gjatë gjithë kohës për të”.
“Ndërsa përfaqësoja Kosovën në WashingtonDC kam takuar shumë zyrtarë amerikanë, demokratë dhe republikanë. Të gjithë më përshëndetën me të njëjtin opinion “Oh, ti je Ambasadorja e Kosovës?! Ne dimë gjithçka për vendin tuaj. Engel flet për të gjithë kohën” Faleminderit EliotEngel”, shkroi Çitaku në Twitter.
Engel do të zëvendësohet si kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës nga Gregory Meeks (demokrat nga New York-u), i cili do ta marrë detyrën më 6 janar kur Kongresi që u zgjodh më 3 nëntor do të mblidhet për herë të parë.