“Elita 5” e Tetovës në 30-vjetorin e saj mbrëmë “pushtoi” Tiranën

Prishtinë | 08 Sht 2018 | 11:21 | Nga

Çfarë mund ta bëjë vallë një këngë që t’i rezistoj kohës pa cunguar aspak dëshirën për t’u dëgjuar nga publiku? Përkundrazi këngët e Elita 5 sot dëgjohen edhe më shumë. Prova më e mirë ishte koncerti i tyre i së premtes mbrëma që u hap me këngën “Mohikani i Fundit” e që bëri bashkë fansa të të gjitha grupmoshave, të cilët kishin etje për këngët e grupit legjendar, për t’i kënduar dhe kërcyer.

Amfiteatri i Liqenit “u pushtua” mbrëmë si asnjëherë më parë nga shqiptarë të të gjitha trevave të cilët iu bashkuan një eventi muzikor të papërsëritshëm që shënoi 30-vjetorin e krijimit të Elita 5. Një festë e madhe me qindra njerëz qe e bënë Amfiteatrin dhe hapësirën rreth tij të duket e vogël, të gjithë donin të shijonin spektaklin.

Tirana, të cilën grupi e konsideroi si kryeqendrën e Shqiptarisë dhe e përzgjodhi për të dhënë koncertin e parë për të festuar 3 dekada histori rroku, baladash legjendare nuk i zhgënjeu.

Në vijim grupi shijoi mbrëmjen duke dhënë performanca magjike, pjesë e të cilave u bë edhe publiku, duke kënduar bashkë me ta. Kulmin e mbrëmjes e shënoi ajo këngë që Elita5 e ka konsideruar si pasaportën e tyre dhe që mund të thuhet pa mëdyshje se është një nga pjesët më të dashura për publikun shqiptar sot e 25 vite të realizimit të saj.

Këngë të tjera, si “Çmendem”, “Faleminderit”, “Më fal” etj., shkrinë si me magji barrierat e kohës. Një koncert madhështor ai i së premtes mbrëma, ku Elita 5, vuri në dukje etjen e shqiptarëve për evente të tilla, art të përzgjedhur dhe organizim të mirë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme