Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin në Mitrovicën e veriut, Veton Elshani në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se situata e sigurisë aty nuk ka përsuar ndryshime edhe pas marrjes së detyrës nga kryetarët e rinj në dhjetorin e vitit të kaluar.
Elshani ka treguar se aktualisht janë 154 policië të komuniteti serb, duke theksuar se puna e policisë vazhdon mbi të njejtën bazë ligjore.
“Nuk ka ndryshu shumë, për arsye se policia e ka ligjin në bazë të cilit punon. Ligjin për Policinë, Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, vazhdojmë me punën tonë që na e kemi. Kemi pasur disa sene, disa gjëra interesante, që me nxjerr një vendim, në kundërshtim me vendimin që ka qenë më herët, po ato i vendos gjykata dhe nuk mund të ndalohen për shembull punimet të cilat janë duke u zhvilluar në këtë vend, dhe që janë të autorizuara apo e kanë marrë pëlqimin nga komunat më herët, nga udhëheqësit komunalë që kanë qenë më herët. Ato munden me u apelu veç në gjykatë, jo diku tjetër. Mirëpo në parim çdo gjë është e njëjtë. Ne jemi këtu për me respektu ligjin e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Duke folur për bashkëpunimin me autoritetet lokale në veri, ai theksoi se komunikimi me kryetarët e komunave është i rregullt dhe korrekt.
“Është një bashkëpunim i mirë, komandantët e stacioneve takohen në baza të rregullta me kryetarët e komunave, me zyrtarët e tyre komunalë aty që, që janë. Unë jam taku me dy kryetarë të komunave deri tani, të Mitrovicës së Veriut edhe të Leposaviqit. Një komunikim shumë i mirë. Çdo herë kur kërkohet nga ana jonë me raportu, na raportojmë, çdo informacion që e ndajmë, me të dike tjetër, e ndajmë edhe me edhe me kryetarin e komunës. Për shembull, çështja e sigurisë, po flasim për çështje të sigurisë, aksidente në komunikacion, rregullat e komunikacionit, shenjat vertikale-horizontale, rrugët të cilat nuk janë të mira. Të gjitha këto i ndajmë me zyrtarët komunalë, edhe në fakt pajtohemi edhe me ta që ato kërkesa mandej me i dërgu në MAPL apo në institucionin përkatës që për shembull rrugët me u ndreq edhe me pasë me të mira”, tha ai.
Elshani bëri të ditur se përbërja etnike e policisë në veri ka ndryshuar ndjeshëm që nga viti 2023.
“Ne në fillim kur kam ardhë këtu në prill të vitit 2023, ne i kemi pasë katër policë, kosovarë, të përkatësisë etnike serbe. Katër. Tash i kemi 154. Nëse i marrim romë, ashkali, turq, diçka e tillë, atëherë i bie që unë 40% i kam shqiptarë. Të tjerët, 60%, janë të tjerë. Kështu që është një situatë shumë e mirë. Pamarrë parasysh situatën politike në fillim na ka diktu që diku rreth 500 policë të komunitetit serb, kosovarë të përkatësisë etnike serbe, kanë dhënë dorëheqje. Tash i kemi 154 qysh thashë. Po nesër mundemi me i pasë zero. Po s’është me rëndësi, na e bëjmë punën tonë, e zbatojmë ligjin edhe vazhdojmë në atë drejtim me punën tonë”, tha ai.
Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, më 5 dhjetor 2025 janë mbajtur seancat konstituive në të cilat kryetarët e rinj nga Lista Serbe kanë marr përsëri pushtetin.
Këto komuna me shumicë serbe janë udhëhequr nga kryetarë shqiptarë që nga maji i viti 2023, pasi ata nga Lista Serbe kishin dhënë dorëheqjen në nëntor të vitit 2022 si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet, në shenjë kundërshtimi me vendimet e Qeverisë së Kosovës.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, kishte pranuar se kishte gabuar kur ishte larguar nga institucionet dhe kishte theksuar se ky vendim ishte marrë për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar mbi “gjendjen e vështirë” të serbëve.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha më 3 dhjetor se kryetarët e rinj të komunave – Millan Radojeviq në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në Leposaviq, Dragisha Milloviq në Zveçan dhe Millosh Peroviq në Zubin Potok – pas marrjes së detyrës do të kërkojnë të kenë qasje në dokumentacionin e plotë.
Lista Serbe, gjithashtu, më parë kishte njoftuar se do të anulonte vendimet “jolegjitime” që kanë marrë kryetarët shqiptarë të komunave në veri.
Ndërkohë, në Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe në Zveçan është raportuar për largime nga puna të punëtorëve shqiptarë, masa që autoritetet komunale i kanë arsyetuar me baza ligjore dhe procedurale.
