A ka marrë Elton John një ftesë për dasmën mbretërore? Nuk dihet akoma por aii duket se tashmë po planifikon që të marrë pjesë në këtë dasmë.
Të premten u bë e ditur se këngëtari 70 vjeçar ka ndryshuar datat e dy performancave të tij në Las Vegas që ishin paraparë për datat 18 dhe 19 maj – në vikendin kur Princi Harry dhe Meghan Markle do të martohen.
Çifti do të kurorëzojë dashurinë e tyre më 19 maj në kapellën e St. George në kështjellën Windsor, transmeton Klan Kosova.
Sipas asaj që shkruhet në uebsajtin e John, thuhet se të dy datat e performancës së këngëtarit janë ndryshuar për shkak të agjendës së tij.
Edhepse këngëtari i hitit “Rocket Man” akoma nuk e ka konfirmuar se a do të jetë pjesë e dasmës mbretërore, ai ishte mik shumë i afërt me nënën e ndjerë të Princit Harry, Princeshën Diana.
Kohë më parë, ai kishte thënë në një intervistë se sa bukur është të shoh princin të dashuruar.
“Unë kam kaluar pak kohë me të në Sicili, verën e shkuar dhe mund të them se ai është krejtësisht i dashuruar. Ai nuk ka folur shumë për veten por më tha se ka rënë në dashuri”, kishte thënë John në muajin janar.
Ai poashtu foli për vëllaun e Harry, Princin William që është i martuar me Kate Middleton tash e shtatë vjet duke thënë se edhe ai është po aq i lumtur.
Gjatë intervistës, këngëtari foli poashtu për Princeshën Diana duke e quajtuar atë “mike të jashtëzakonshme” edhepse të dy kishin pasur disa momente jo të mira në shoqërinë e tyre, të cilat i kishin tejkaluar para se ajo të ndërronte jetë.
Fituesi i çmimit Grammy kishte performuar “Candle in the Wind” në funeralin e princeshës në Westminster Abbey më 6 shtator 1997.