Elvana Gjata tentoi ta nxirrte dy herë të dashurin nga lokali ku ndodhi vrasja

Prishtinë | 10 Tet 2018 | 11:07 | Nga Ekonomia Online

Detaje të reja zbulohen nga sherri i së enjtes së 4 tetorit në zonën e Bllokut që përfundoi me vrasjen e 28-vjeçarit Fabian Gaxha dhe plagosjen e dy të tjerëve në një konflikt me të dashurin e këngëtares Elvana Gjata dhe miq të tij.
Ndonëse nuk ishte e qartë masa e përfshirjes në ngjarje e këngëtares pasi u tha se ajo ishte larguar sapo kishte nisur sherri, burime të sigurta bënë me dije për “BalkanWeb” se Elvana ka hyrë brenda lokalit dy herë.

Kanë qenë kamerat e një biznesi pranë vendit të ngjarjes që kanë kapur këngëtaren dhe në momentin e ngacmimit dhe më pas kur ajo ka shkuar dy herë brenda, me sa duket për t’i thënë të dashurit të saj Ervin Mata të largohej e të mos priste Ervis Martinajn për sqarime.

Ndërkohë dje u bë e ditur se Prokuroria ka urdhëruar shoqërimin e detyrueshëm të këngëtares, e cila ishte në lokalin ku ndodhi ngjarja. Shpallja në kërkim policor e detyron Gjatën që të paraqitet për të dhënë shpjegime brenda 30 ditëve, pasi duhej të jepte deklarimet e saj për ngjarjen.

Këngëtarja u largua nga Shqipëria më 5 tetor, vetëm pak orë pas ngjarjes nga Rinasi drejt një vendi të BE.

Në kërkim për ngjarjen janë shpallur dhe i dashuri i saj Ervin Mata, Fabian Allushi, Mevjol Bilo, të cilët kanë qenë të ulur në një tavolinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme