Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, në kuadër të fushatës vetëdijesuese kundër diskriminimit te viktimave te dhunës seksuale gjate luftës në Kosovë, ka qëndruar sot për vizitë në organizatën “Medica Kosova”, e cila mbulon rajonin e Deçanit dhe të Gjakovës. E shoqëruar nga drejtoresha e kësaj qendre, Veprore Shehu, ajo ka takuar një grup të viktimave anëtare të kësaj qendre.
Gjatë këtij takimi me viktimat, ambasadorja Shala ka dëgjuar rrëfimet e përjetimeve të dhimbshme të viktimave dhe është njohur nga afër me gjendjen e tyre aktuale në shoqëri.
Edhe pse kanë kaluar 18 vjet nga përfundimi i luftës, disa nga gratë thanë se ende nuk e ndjejnë lirinë dhe guximin për të rrëfyer publikisht përjetimet e tyre, pasi ende vazhdojnë të stigmatizohen nga shoqëria e familjet e tyre.
“Deri sot askush nga krerët institucionalë as nuk na ka vizituar e as nuk na ka mbështetur, përveç ish-presidentja Jahjaga ka qenë dy herë, por edhe mbështetja e saj ka qene veç morale”, citohen të kenë thënë gratë.
“Asnjëra nga ne nuk punon, dhe të gjitha shpenzimet për shërbime shëndetësore duhet t’i mbulojmë sipas mundësive tona. Mbështetjen e vetme e kemi gjetur te kjo organizatë”.
“Kemi nevojë për punë, e sidomos për mbështetje në shërbime shëndetësore sepse nuk po arrijmë t’ia dalim vetë”, u shprehën ato.
Ambasadorja Shala u premtoi viktimave se te gjitha kërkesat e tyre do t’i adresoj te organet përgjegjëse dhe inkurajoi viktimat që të thyejnë heshtjen dhe të marrin guximin të shfaqen hapur në shoqëri, sepse vetëm kështu ato mund të thyejnë tabutë e paragjykimet.
Shënim: Fotografia është “mjegulluar” me kërkesë të viktimave.