Emërimi i Anëtarëve të Përkohshëm të Ndërmarrjeve Publike, ky është reagimi i Organizatave të Shoqërisë Civile

Prishtinë | 03 Pri 2020 | 16:11 | Nga Ekonomia Online

Organizatave të Shoqërisë Civile ka dalur me një reagim lidhur me Emërimin e Anëtarëve të Përkohshëm të Ndërmarrjeve Publike.

Sipas Organizatave të Shoqërisë Civile këto emërime nuk reflektojnë diversitetin gjinor, minoritar dhe etnik të shoqërisë.

”Kjo praktikë e qeverisjeve të kaluara ka shkatërruar ndërmarrjet publike duke i vënë udhëheqjet e tyre në shërbim të partive politike dhe jo të së mirës publike.

Andaj, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës, që duke rishqyrtuar dhe ndryshuar këto vendime, të sjellë ligjshmëri dhe të shtrojë rrugën për zhvillimin e ndërmarrjeve publike, rritjen e kualitetit të shërbimeve dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik.

Emërimet, në disa prej rasteve shkelin Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike. Edhe pse emërimet janë bërë të përkohshme dhe me afat prej 6 muajsh në bazë të Ligjit, ato prapë është dashur të reflektojnë kërkesat e nenit 17”.

Ligji është i qartë që:

“17.2 Të gjithë drejtorët përveç KE duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse: k) është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë

(i) zyrtar i zgjedhur publik,

(ii) i emëruar politik ose

(iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike.”

1. Për më tepër, në emërtimet e Ligjit është sqaruar që: “I emëruar politik” nënkupton personin i cili është emëruar ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur.

2. Pra, me zgjedhjen e ish kandidatëve për poste të zgjedhura që nga zgjedhjet e vitit 2017, Qeveria ka shkelur Nenin 17 të Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike. Edhe neni 43 mbi Emërimet e Përkohshme, nuk përjashton zbatimin e dizpozitave të nenit 17. Kërkesat nga ky nen kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me profesionalizmin dhe ruajtjen e pavarësisë së ndërmarrjeve publike. Përveç kësaj, me këto vendime, Qeveria nuk ka zbatuar kriteret e Ligjit Nr. 05/L -020 për Barazi Gjinore. Aty është e qartë që zgjedhja e trupave udhëheqës në institucione publike duhet të bëhet në proporcionin gjinor 50:50.
“Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre
drejtuese dhe vendimmarrëse”.

3. Për më tepër, edhe Ligji Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike kërkon përfaqësim të barabartë në harmoni me Ligjin për Barazi Gjinore. Përbërja e bordeve të drejtorëve të NP-së duhet te jetë në harmoni me Ligjin për Barazi Gjinore.

4. Për këto arsye, ne, organizatat e poshtëshënuara, i kërkojmë Qeverisë së Kosovës të rishqyrtojë vendimet e datës 02 prill 2020 dhe të përzgjedhë borde profesionale, të pavarura politikisht dhe që reflektojnë barazinë dhe diversitetin shoqëror. Ia rikujtojmë Qeverisë se departizimi i bordeve dhe rikthimi i kriterit profesional në zgjedhjen e tyre ishte njëri ndër premtimet elektorale dhe është pjesë edhe e programit qeverisës.

Organizatat përkrahëse:

Balkan Green Foundation (BGF)

ÇOHU

Demokraci Plus (D+)

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Instituti D4D

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Instituti GAP

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED)

Lëvizja FOL.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme