Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Cilësisë së Agjencionit Kosovar të Akreditimit.
Ministri i Arsimit Shyqyri Bytyqi tha se këshilli do të përbëhet nga 9 anëtarë dhe, sipas tij, të gjithë janë të përgatitur dhe të gatshëm t’i marrin përgjegjësitë.
Sipas ministrit të Arsimit, anëtarët e zgjedhur janë profesionalë dhe kanë plotësuar të gjitha kriteret e parapara, raporton Ekonomia Online.
Anëtarët e propozuar për ratifikim nga Qeveria e Kosovës për Kuvendin e Kosovës, janë:
Prof. Ass. Dr. Vjollca Krasniqi
Prof. Ass. Dr. Arta Jakupi
Dr. Sc. Spec. Rozafa Koliqi-Lila
Prof. Dr. Magdalena Ziolo
Prof. Dr. Gazmend Luboteni
Prof. Dr. Herbert K. Amato
Prof. Dr. Xhavit Rexha
Prof. Msc. Jeffrey Butel
Prof. Ass. Dr. Dukagjin Zeka
Ky Këshill zgjidhet me mandat pesë vjeçar, ndërsa vendimi për emërimin e tyre hyn në fuqi ditën e ratifikimit të anëtarëve të KSHC-së në Kuvendin e Kosovës.
Në mbledhjen e Qeverisë, sot u diskutua edhe nisma për negocimin e marrëveshjes me Dukatën e Madhe të Luksemburgut lidhur me Projektin Mbështetje për Reformën e Arsimit dhe Aftësimit Profesional të Kosovës.
Ministri Shyqiri Bytyqi tha se Kosova do të asistojë në këtë projekt.
“Kontributi i qeverisë së Luksemburgut do ta arrijë shumën deri në 5 milionë euro. Qeveria e Kosovës do ta lehtësojë dhe do ta monitorojë zbatimin e projektit. Është fjala për një marrëveshje të rëndësishme, andaj edhe kërkoj mbështetjen e juaj për këtë marrëveshje”, tha ministri Bytyqi.