Shkaqet e emigrimit të cilat dikur ishin politike kanë ndryshuar duke u shndërruar në emigracion ekonomik, social madje edhe kulturor.
Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Shoqata Kosovare e Terapisë Familjare në mbështetje të Ministrisë së Diasporës me temë “Familja dhe emigrimi”.
Mimoza Shahini, psikoterapiste në këtë shoqatë, ka thënë se njëri ndër problemet e emigracionit është poligamia, studimet, por ajo që paraprinë si shkak në emigrim është përfshirja e gruas në punë, raporton Ekonomia Online.
“Problem në emigrim është poligamia, që do të thotë është burrat të cilit emigrojnë në vendet e Bashkimit Evropian që janë të martuar në Kosovë, por që krijojnë një lidhje të re jashtë martesore. Pastaj edhe largimi i ‘kokës së Kosovës’ , largimi i studentëve kryesisht atyre të mjekësisë në spitalet e vendeve evropiane. Por ajo që mund të themi si sukses është përfshirja e gruas në punë, e që në Kosovë shpeshherë nuk i lejohet që të jetë e emancipuar”, ka thënë Shahini .
Edhe sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Diasporës, Osman Shahini tha se sfidë për Kosovën është ikja e studentëve dhe intelektualëve të cilët Kosova ka nevojë t’i ketë pranë vetës. Por sipas tij vet procesi i emigrimit është sfidë për institucionet vendore.
“Është shqetësuese ikja e mjekësve nga Kosova dhe kjo e varfëron popullin i cili me vështirësi ka rritur vlerat intelektuale, duhet që këta njerëz t’i mbajmë në kontakt. Kemi shumë pak raste kur këta njerëz kanë gjetur profilet e tyre në Kosovë sepse dyert i kanë pasur të mbyllura. Nëse kjo pasuri dom që të zhvillohet në vendin tonë, atëherë duhet që t’u japim më shumë raste Brenda Kosovës dhe jo t’i lëmë të ikin”, ka thënë sekretari Shahini.
Në këtë tryezë gjithashtu u përmend edhe emigrimi ilegal i kosovarëve gjatë periudhës 2014/2015 si fakt shqetësues, por gjithashtu u tha se diaspora shqiptare është ajo që po kontribuon vazhdimisht në zhvillimin ekonomik dhe social të shtetndërtimit të Kosovës.
Kjo tryezë ishte e mbështetur nga Ministria e Diasporës dhe Shoqata Kosovare e Terapisë Familjare.