Trump: Emigracioni në ShBA do të pezullohet për shkak të pandemisë

Prishtinë | 21 Pri 2020 | 08:25 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se do ta nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për të pezulluar përkohësisht gjithë emigracionin në SHBA për shkak të koronavirusit.

Në cicërimën e tij në Twitter, ai përmendi “sulmin nga një armik i padukshëm” duke iu referuar virusit dhe nevojën për t’i mbrojtur punët e amerikanëve, duke mos dhënë më shumë detaje.

Nuk ishte e qartë se cilat programe do të preken dhe nëse presidenti mund vërtetë ta nënshkruajë një urdhër të tillë.

Kritikët thonë se qeveria po e përdor pandeminë për ta goditur emigracionin.

Postimi i Trump mbrëmë vonë vjen në kohën kur Shtëpia e Bardhë është e bindur se më e keqja e pandemisë ka kaluar dhe mund të rifillojë hapja.

Kufizimet në lëvizjen e njerëzve që janë implementuar në shumë vende për të frenuar përhapjen e virusit kanë paralizuar shumë sektorë të ekonomisë.

Gjatë katër javëve të fundit, më shumë se 20 milionë amerikanë janë deklaruar të papunë. Kjo shifër është pothuajse e njëjtë me shifrën e punëtorëve që janë shtuar gjatë dekadës së fundit.

ShBA ka më shumë se 787 000 raste të konfirmuara me Covid-19 dhe më shumë se 42 000 vdekje, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme