Emiratet e Bashkuara Arabe thonë se marrëveshja me Izraelin nuk e ka cak Iranin

Prishtinë | 17 Gus 2020 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Emiratet e Bashkuara Arabe thonë se marrëveshja për normalizimin e raporteve me Izraelin është një “vendim sovran” që “nuk e ka cak” Iranin.

“Ne nuk pranojmë ndërhyrje në vendimet tona”, tha ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Anwar Gargash, më 17 gusht.

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan më 13 gusht se po vendosnin marrëdhënie të plota diplomatike në bazë të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, e cila përfshinte një zotim nga ana e Izraelit, për të pezulluar planet e tij të diskutueshme për aneksimin e një pjese të Bregut Perëndimor të okupuar.

Marrëveshja mundëson që Emiratat e Bashkuara Arabe të bëhen shteti i parë arab i Gjirit që krijon lidhje të plota diplomatike dhe kombi i tretë arab që ka marrëdhënie aktive diplomatike me Izraelin.

Marrëveshja u përshëndet nga disa shtete të Gjirit, por u kundërshtua nga Irani, Turqia dhe palestinezët.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani në një fjalim më 15 gusht akuzoi Emiratet e Bashkuara Arabe se përmes kësaj marrëveshjeje kanë tradhëtuar kauzën palestineze.

Më 16 gusht, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara inaguruan shërbimet telefonike direkte midis dy vendeve.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha më 17 gusht se vendi i tij po përgatitet për fluturime të drejtpërdrejta me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme