Emiratet e Bashkuara shënojnë rekord të rasteve për të katërtën ditë radhazi

Prishtinë | 02 Jan 2021 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë regjistruar numër rekord të rasteve ditore të koronavirusit për të katërtën ditë me radhë.

Të shtunë, shteti që shtrihet në pjesën lindore të Gadishullit Arabik regjistroi 1.963 raste të reja, që është shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë.

Kështu, numri i përgjithshëm i të infektuarve shkoi në 211.641 persona. Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan tre të vdekur dhe numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 674, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan 1.856 raste të reja më 1 janar, ndërsa mbi 1.700 raste për një ditë më 30 e 31 dhjetor.

Gjendja më e mirë është në Arabinë Saudite, ku më 1 janar u shënuan vetëm 137 raste të reja. Sidoqoftë, shifra e përgjithshme e të infektuarve në këtë shtet është më e larta në mesin e gjashtë shteteve anëtare të Këshillit të Gjirit Persik – 362.878.

Duke pasur parasysh popullsinë prej gati dhjetë milionë banorësh dhe krahasimin me vendet perëndimore, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë arritur ta menaxhojnë mirë pandeminë.

Sa për krahasim, ky shtet ka shifër përgjysmë më të vogël të viktimave të koronavirusit se Kosova, ndonëse ka popullsi gati gjashtë herë më të madhe.

Të ngjashme