Lindon Selahi i Twentes dhe Taulant Seferi i Xamaxsit janë ftuar në Kombëtaren e Shqipërisë për dy ndeshjet e rëndësishme të këtij muaji. Kuqezinjtë më 11 tetor luajnë në Stamboll ndaj Turqisë, ndërsa më 14 tetor në Chisinau përballen me Moldavinë.
Të dy ndeshjet u takojnë eliminatoreve për “Euro 2020”. Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edy Reja, të dielën ka publikuar listën e lojtarëve në të cilët llogarit në këto dy ndeshje në udhëtim, shkruan sot “Koha Ditore”. Ai ka ftuar 25 futbollistë, ndërsa ka edhe një listë rezervë prej 9 futbollistëve që janë të gatshëm për grumbullim në rast të ndonjë lëndimi. Selahi 20-vjeçar dhe Seferi 22-vjeçar janë risitë në listën e Rejas për këto dy takime.
Shqipëria renditet e katërta në grupin H të eliminatoreve me 9 pikë nga gjashtë ndeshje. Prijnë Turqia e Franca me nga 15 pikë, ndërsa Islanda është e treta me 12 pikë. Moldavia me tri pikë dhe Andorra pa pikë, përmbyllin grupin. Në shtator Shqipëria pësoi 4:1 nga Franca e më pas fitoi 4:2 në shtëpi ndaj Islandës. Momenti i mirë nga ndeshja me Islandën synohet të vazhdohet edhe në dy ndeshjet e këtij muaji..
Jashtë kombëtares kanë mbetur emra të rëndësishëm si Mërgim Mavraj e Armando Sadiku, ndërsa Taulant Xhaka është në listën rezervë. Ka gjasë që jashtë të mbetet edhe Elseid Hysaj, i lënduar të dielën mbrëma.