Rreth dy minuta ka zgjatur seanca në të cilën është lexuar vendimi se Enver Sekiraqa do të mbajë 30 vjet burgim për veprën penale shtytje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.
Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti, e ka lexuar arsyetimin e kolegjit duke iu dridhur zëri. Hoti, përveçqë ka treguar se për çfarë vepre penale e ka gjetur fajtor gjykata Sekiraqën, nuk ka thënë asgjë në lidhje me atë se si është arsyetuar fajësia për akuzat që i ngarkoheshin, shkruan Koha Ditore.
Sekiraqa ka zgjedhur të mos jetë i pranishëm në seancë. Rreth një orë para shpalljes së aktvendimit, policia e ka transferuar atë nga Qendra e paraburgimit në Gjilan në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.
Ai akuzohej për nxitje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, pasi po pretendohet për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës, për të cilën vrasje ai ishte dënuar me 37 vjet burgim, mirëpo rasti ndaj tij ishte kthyer në rigjykim. Për vrasjen e Triumf Rizës, vite më parë ishte dënuar me 35 vjet burgim Arben Berisha.
Dënimi i Sekiraqës e çon në 80 vjet burgim dënimin për të gjithë të përfshirët në vrasjen e Rizës, sipas drejtësisë.
Të hënën në gjykatore ishin të pranishëm mediet, familjarët, miqtë dhe avokatja e Sekiraqës. Mungonin i akuzuari dhe prokurori i rastit, Haki Gecaj, i cili pas kthimit në rigjykim ka përfaqësuar këtë lëndë.