Ish-kongresmeni amerikan dhe miku i Kosovës, Eliot Engel ka përshëndetur mision e parë paqeruajtës të FSK’së jashtë vendit.
Engel përmes Twitterit ka uruar Kosovën për dërgimin e trupave për herën e parë jashtë vendit.
“Urime Republikës së Kosovës për bashkimin në misionin tuaj të parë paqeruajtës ndërkombëtar”, ka shkruar Engel.
Nisja e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në misionin e parë paqësor jashtë vendit, përkatësisht në Kuvajt, të martën u cilësua si ditë historike nga udhëheqësit politikë në Kosovë.
Në ceremoninë e zbarkimit të kontingjentit të Forcës së Sigurisë të Kosovës në misionin e parë paqësor jashtë vendit, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, tha se misioni paqeruajtës gjashtëmujor u bë falë Shteteve të Bashkuara.
“Programi i partneritetit shtetëror me ushtrinë amerikane ka qëllim afatgjatë dhe ka për qëllim krijimin dhe zgjerimin e partneritetit me FSK-në, në funksion të promovimit të sigurisë rajonale, por edhe më gjerë. Sot një nga këta objektiva po nis përmbushjen e tij”, tha Osmani.
Kontingjenti i FSK-së, që niset për në Kuvajt, do të jetë si pjesë e Gardës Kombëtare të Ajovas.