Ekspertët e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) kanë nisur sot vlerësimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), raporton “Koha Ditore”.
Pesë përfaqësuesit e ENQA-s, Jacques Lanarès, Obe De Vries, Sandra Bezjak, Arus Harutyunyan dhe Goran Dakovic të cilët po qëndrojnë në Kosovë do të vlerësojnë se çfarë progresi është arritur viteve të fundit në AKA dhe nëse ky institucion funksionin si i pavarur nga politika. Vlerësimi pritet të përfundojë deri më datën 20 mars.
Përveç takimit me zyrtarë të AKA-së, ekspertët e ENQA-s do të takohen edhe me ministrin e Arsimit dhe rektor të Universiteteve publike për të marrë informacione për gjendjen në arsimin e lartë. Vendimi përfundimtar për anëtarësinë e AKA-së në ENQA do të merret në shtator të këtij viti.
Më 22 prill të vitit të kaluar, ENQA ja pati zbritur AKA-së statusin nga anëtare me “të drejta të plota” në anëtare “nën shqyrtim”.
Kjo kishte ndodhur për shkak të ndërhyrjeve politike ku në shtator të vitit 2017 me kërkesë të kryeministrit, Ramush Haradinaj, ministri, Shyqiri Bytyqi shkarkoi bordin e AKA-së dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të kësaj agjencie.
Shkarkimi ishte bërë më arsyetimin se procesi i akreditimit është përcjellë me parregullsi. Një vendim i tillë, i kushtoi AKA-së me përjashtim nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR). AKA ka aplikuar vitin e kaluar për t’u bërë sërish pjesë e EQAR-it ndërkaq vendimi përfundimtar për këtë pritet të merret në shtator.