Profesori Enver Hasani, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është ftuar nga “Oxford Union”, një nga forumet më prestigjioze në botë për diskutime publike dhe debate, për të marrë pjesë në një panel që është paralajmëruar si “historik”.
Hasani do të jetë një nga folësit në panelin e titulluar “Si reagon e drejta ndërkombëtare kur një popull kërkon të drejtën për ta përcaktuar të ardhmen e vet politike, por këtë kërkesë e gjen të kundërshtuar nga shtetet, të kufizuar nga gjeopolitika, apo të kapërcyer nga konflikti?”
Më saktë, Hasani do të diskutojë rreth çështjes së pavarësisë së Kosovës dhe raportit me të drejtën ndërkombëtare dhe rreth Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Paneli do ta shqyrtojë parimin e vetëvendosjes në një sërë rastesh të kontestuara, nga Europa në Lindjen e Mesme dhe Azi, duke pyetur se si pretendimet për shtetësi njihen, kundërshtohen apo shtyhen në praktikë.
Diskutimi, i mbështetur në Kartën e OKB-së, Konventat Ndërkombëtare, doktrinën e dekolonizimit e debatet mbi shkëputjen korrigjuese dhe ligjet e konfliktit të armatosur, synon të eksplorojë jo vetëm bazat juridike të vetëvendosjes, por edhe çështjet e thella politike që lindin kur ligji, dhuna, demokracia dhe njohja ndërkombëtare hyjnë në tension.
I themeluar në vitin 1823, ky forum është shoqata më e madhe në Universitetin e Oxfordit në Mbretërinë e Bashkuar dhe një nga më prestigjiozet në botë.
Aty kanë shkuar në të kaluarën personalitete shumë të njohura, nga presidentët amerikanë Reagan, Nixon dhe Carter, liderë politikë si Yasser Arafat, Mary Robinson, Bernie Sanders, si dhe aktivistë politikë si Malcolm X, Malala, Desmond Tutu dhe Angela Davis, ndër të tjerë.