Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se gjendja e qytetarëve të Kosovës dhe stafit diplomatik në Turqi është e sigurt.
Në një prononcim për media të shtunën, Hoxhaj tha se kushdo që ka ndonjë kërkesë, apo ndonjë nevojë të caktuar, mund të paraqitet në konsullatën e Kosovës në Stamboll, ose të konsultohet nëpërmes numrave të telefonit.
“Ne i kemi përcjellë nga afër zhvillimet në Turqi. Kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me diplomatët tanë në Turqi të cilët janë në gjendje të sigurt. Ambasadat tona në Turqi u kanë ofruar informacione të dorës së parë qytetarëve të shumtë, e veçmas pushuesve të cilët normalisht kanë qenë të shqetësuar. Deri më tani nuk ka qytetarë të prekur nga zhvillimet në Turqi”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj ka dënuar përpjekjen për puç, por ka thënë se ato janë zhvillime të brendshme. “KNe nuk marrin qëndrim se çfarë ndodhë në Turqi në raport me zhvillimet politike brenda-për-brenda këtij vendit, por kemi bërë përpjekje që të jemi në dispozicion të qytetarëve të Kosovës për çdo informatë të mundshme”, tha Hoxhaj.
Këto komente Hoxhaj i bëri gjatë konferencës të mbajtur sot me temën “Evropa pas BREXIT dhe procesi i integrimeve evropiane të Kosovës dhe rajonit”.
Numrat e telefonit të vënë në dispozicion nga Ambasada e Kosovës në Turqi janë: +905309549504 dhe +905311056391