Ish-kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti lidhur me Listën Serbe, duke e cilësuar atë si shembull të “kontradiktës politike” dhe të “ikjes nga përgjegjësia shtetërore”.
Në një postim në Facebook, Hoxhaj tha se Kurti po shmang përgjegjësinë, ndonëse për vite me radhë ka ndërtuar kapital politik mbi akuza të rënda ndaj Listës Serbe.
“Deklarata e kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti për Listën Serbe përbën një shembull të qartë të kontradiktës politike dhe ikjes nga përgjegjësia shtetërore. Sot, i njëjti aktor politik që për vite me radhë ka ndërtuar kapital politik mbi akuza të rënda, fshihet pas formulimeve procedurale dhe e zhvendos përgjegjësinë te gjykatat, prokuroria dhe faktorët ndërkombëtarë”, tha ai.
Hoxhaj theksoi se Kurti përdor standarde të dyfishta në varësi të kontekstit politik.
“Kur Vetëvendosje flet ndaj partive shqiptare, shpalljet janë të thjeshta, kategorike dhe absolute. Sot, kur realiteti politik e bën Listën Serbe funksionale për Kurtin, përgjegjësia relativizohet dhe vendimmarrja delegohet”, tha ai.
Ai rikujtoi se vetë Kurti në të kaluarën ka e ka cilësuar Listën Serbe si instrument të strukturave kriminale të Serbisë.
“Lista Serbe ka qenë dhe vazhdon të jetë instrument politik i strukturave kriminale dhe të sigurisë së Serbisë, një vlerësim me të cilin edhe vetë kryetari i Vetëvendosjes është pajtuar publikisht”, deklaroi Hoxhaj, duke shtuar se është e papranueshme që sot kryeministri të sillet sikur bëhet fjalë për një çështje neutrale juridike.
Sipas tij, përpjekja për të zhvendosur përgjegjësinë te faktori ndërkombëtar ose te organet e drejtësisë është vetëm fshehje e mungesës së vullnetit politik.
“Shteti nuk ndërtohet duke ia kaluar vendimet e vështira institucioneve të tjera apo partnerëve ndërkombëtarë, por duke marrë përgjegjësi politike”, u shpreh Hoxhaj.
Ai kritikoi Kurtin për qëndrimet e tij të ndryshuara pas zhvillimeve të fundit.
“Ky diskurs i dyfishtë, radikal dje, minimalist sot, vetëm pak ditë pas aktakuzës për rastin Iber-Lepenc, e dëmton seriozisht besueshmërinë politike dhe zbraz nga përmbajtja pretendimin për qeverisje të guximshme dhe sovrane. Në fund, kjo nuk është as çështje e ndërkombëtarëve dhe as e gjykatave: është problemi i një lidershipi që sot po tërhiqet nga ato që dje i shpallte me zë të lartë”, shtoi ai.