Pas dënimit të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt me nga 4.5 vjet burg, publicisti dhe gazetari Enver Robelli ka thënë se për vite të tëra frikësimi i dëshmitarëve ishte bërë pothuajse normalitet në Kosovë. Për gjykatën speciale, Robelli ka folur me fjalët e Thaçit, duke thënë se specialja ishte formuar për të mirën e Kosovës.
Por, sipas tij, sot me dënimin e dy ish-drejtuesve të OVL të UÇK-së, Gucati e Haradinaj, një gjykatë e Kosovës arriti në përfundimin se nuk është ide e mirë të tentohet frikësimi i dëshmitarëve.
“Me vite të tëra frikësimi i dëshmitarëve qe bërë pothuaj normalitet i përditshmërisë kosovare. Vrasje e vetëvrasje të pasqaruara kalonin pa asnjë pasojë. Turma që dilnin në rrugë dhe zbulonin emrin e dëshmitarit të mbrojtur, toleroheshin nga drejtësia dhe nga politika. Sot, një gjykatë e Kosovës, e themeluar me vota me legjitimitet demokratik nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, arriti në përfundimin se nuk është ide e mirë të tentohet të frikësohen dëshmitarët”, ka shkruar Robelli.
Robelli, ka cituar edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili, sipas tij, kishte thënë se gjykata speciale ishte themeluar për të mirën e Kosovës.
“Kjo gjykatë, siç e ka thënë njëri nga themeluesit e saj, Hashim Thaçi, është themeluar për të mirën e Kosovës. Po ashtu, sipas Thaçit, kush është kundër kësaj gjykate nuk ia do të mirën Kosovës”, ka shkruar ai.