Enver Sekiraqës i vazhdohet paraburgimi

Prishtinë | 20 Mar 2018 | 15:58 | Nga

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin, Enver Sekiraqës, i cili akuzohet për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza, në gusht të vitit 2007.

Sekiraqa, nën këtë masë do të qëndrojë deri më 10 maj të këtij viti.

Vazhdimin e kësaj mase e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shasivar Hoti. “Masa e paraburgimit i është vazhduar nga 10 marsi, deri më 10 maj të këtij viti”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq, sipas gjykatësit Hoti, ende nuk është caktuar seanca e rigjykimit në këtë rast.

Për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza, Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim, por më pas Gjykata e Apelit rastin e ka kthyer në rigjykim.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor të vitit të kaluar, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të vitit të kaluar, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat tha se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Prokuroria në ankesën e paraqitur kishte kërkuar që të anulohet vendimi lidhur me veprën penale “ndikimi”, me arsyetimin se e njëjta kishte arritur parashkrimin, të cilën gjë e mirëpriten edhe pala mbrojtëse.

Ndryshe, në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.

Të ngjashme