Brazili raportoi të premten për 13,944 raste të reja me koronavirusin e ri.
Vendi më i populluar në Amerikën Latine, tani ka gjithsej 202.918 raste të të infektuarve dhe 13.933 vdekje, tregojnë të dhënat e ministrisë së Shëndetësisë.
Ekspertët thonë se Brazili është në kulmin e kurbës së pandemisë.
Megjithatë, presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro u ka kërkuar udhëheqësve të biznesit të bëjnë presion për heqjen e urdhrave të izolimit, raporton BBC.
Sipas agjencisë Reuters, Qeveria e Brazilit po shqyrton ndarjen e 2,06 miliardë dollarëve si kredi urgjente për të ndihmuar shërbimet e energjisë të goditura nga kriza e pandemisë.
Kompanitë e shpërndarjes së energjisë kanë kërkuar një paketë ndihme.