Epidemiologu Raka: Armiku i përbashkët nuk quhet as Albin, as Hashim, e as Agim, por Coronavirus

Prishtinë | 19 Mar 2020 | 19:34 | Nga Ekonomia Online

Kur epidemiologu Lul Raka kishte shkuar në Monrovia të Liberisë për t’i ndihmuar kolegët e tij në përballje me virusin vrasës të Ebolas, ai kishte parë shumë gjëra që i dukeshin të panatyrshme. Në këtë vend afrikan organizoheshin greva nga mjekët, në kohën kur njerëzit luftonin për jetën.

Katër vite pas, Raka i numëron paradokset.

“E para, shteti nuk i ka raportuar rastet e para. E dyta, shumë spitale në kryeqytetin Monrovia ishin mbyllur për shkak të frikës pas vdekjeve të punëtorëve shëndetësorë. Paradoksi më i madh, të cilin as sot nuk e kuptoj, ka qenë greva e punëtorëve shëndetësorë dhe atyre ndihmës në një spital të porsahapur me 120 shtretër për shkak të mospagesës së shpenzimeve të transportit. Si rrjedhojë, kufomat kanë qenë të shpërndarë gjithkah nëpër institucion. Njëkohësisht, grevistët këndonin në skajin tjetër të objektit”, tregon epidemiologu Raka. “Në raportin përfundimtar të qëndrimit tim kam shprehur mospajtim me luftën për prestigj që bëhej mes OBSH-së dhe MSF-së, si dy organizatat kryesore ndërkombëtare. Pata kërkuar që në misionet e tjera ato të flasin me një zë, sepse dërgimi i dy mesazheve gjatë punës në terren çonte në konfuzion total tek punëtorët shëndetësorë”.

Raka ishte në 2016-n në Liberi, e shpërthimi i madh i Ebolës në Afrikën Perëndimore, nga viti 2013 deri më 2016, në këtë shtet dhe në Guine e Sierra Leone ka lënë të vdekur më shumë së 11 mijë njerëz.

Bota aktualisht është duke u përballur me një pandemi të shkaktuar nga virusi COVID-19, e cila deri më tash ka prekur më shumë se 200 mijë njerëz, mbi 8 mijë prej të cilëve kanë vdekur. Nga java e shkuar, janë konfirmuar rastet e para me këtë virus edhe në Kosovë. Të hënën ka rezultuar i prekur edhe personi i 20, transmeton KOHA.

Por, pikërisht në emergjencën më të madhe që ka përjetuar Kosova prej luftës me Serbinë dy dekada më herët, liderët institucionalë e ata politikë kanë nisur një betejë mes vete.


Ajo është shfaqur mbrëmjen e së martës kur presidenti Hashim Thaçi ka ndërmarrë nismën për t’ia marrë Qeverisë timonin e përballjes me virusin duke firmosur dekretin për gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa të mërkurën LDK-ja vendosi të ngrejë mosbesim ndaj Qeverisë së cilës i përket, pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti për ta shkarkuar nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliun, një nga njerëzit me më ndikim në LDK.

Kësisoj, ndryshe prej Liberisë së Afrikës, kriza në kohë të luftës së kosovarëve me jetën, vjen nga politikanët. Mjekët ndodhen në front me COVID-19.

Epidemiologu Lul Raka ka thënë se në Kosovë nuk mund të ketë grevë të mjekëve sikur në Liberi ku kishte shkuar katër vite më parë të ndihmonte në luftën kundër Ebolas. Thotë se, sikur një e tillë të thirrej në Kosovë, ai do të bëhej grevëthyesi i parë.

Ai thërret për konsensus, dhe i druhet shumë pasojave nga rrëzimi i mundshëm i Qeverisë.

“Vakia jonë është se sot më së paku kemi pasur nevojë për dramën politike përbrenda asaj mjekësore. Në kulmin e përballjes me epideminë, dy liderët kryesorë vazhdojnë këngën e njëjtë”, i ka thënë gazetës Raka. “Unë nuk e mbaj asnjërën anë, por jam për konsensusin e tyre, cilido që të jetë ai. Po ashtu, rrëzimi potencial i qeverisë do të jetë një goditje e madhe e përpjekjeve për të luftuar armikun e përbashkët. E ai armik nuk quhet as Albin, as Hashim, e as Agim, por COVID-19”.

Të ngjashme