Instituti EPIK përmes një studimit ka treguar
se ideja për bashkimin e Ministrisë së Integrimit Evropian me Ministrinë e Punëve
të Jashtme është gabim.
Ata përmes një komunikata për medie bëjnë të
ditur se ndarja e procesit integrues nga Kryeministri do jetë gabim strategjik
i cili do të krijojë parakushte për ngadalësim të reformave evropiane.
Ata kanë dhënë 10 arsye përse me mbylljen e
Ministrisë së Integrimit Evropian procesi integrues duhet të bartet nën
përgjegjësinë e “Kryereformatorit”, apo Kryeministrit të Republikës së Kosovës
dhe përse qasja thjeshtëzuese dhe e pa informuar se procesi i integrimit ka
ndonjë të përbashkët me Ministrinë e Jashtme është aq sa e gabueshme, aq edhe
fatale për procesin integrues.
Komunikata e plotë:
Kohëve të fundit, në diskursin
publik është shfaqur vullneti politik për zvogëlimin e numrit të ministrive,
dhe në këtë kontekst është paraqitur ideja e bashkimit të Ministrisë së
Integrimit Evropian me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Duke qenë se misioni i
organizatës sonë është formulimi i alternativave të politikave publike, ky
studim ishte i pashmangshëm.
Përderisa zvogëlimin e
numrit e ministrive e mirëpresim me duar të hapura dhe entuziazëm të
papërmbajtur, duhet të nënvizojmë se ndarja e procesit integrues nga Kryeministri
do jetë gabim strategjik i cili do të krijojë parakushte për ngadalësim të
reformave evropiane.
Në këtë drejtim, këtu
shtjellojmë 10 arsye përse me mbylljen e Ministrisë së Integrimit Evropian
procesi integrues duhet të bartet nën përgjegjësinë e “Kryereformatorit”, apo
Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe përse qasja thjeshtëzuese dhe e pa informuar se
procesi i integrimit ka ndonjë të përbashkët me Ministrinë e Jashtme është aq
sa e gabueshme, aq edhe fatale për procesin integrues.
Bazuar në përvojën e
vendeve të rajonit, janë tre modele të organizimit të përgjegjësisë
institucionale për koordinimin e procesit te integrimit evropian:
- Sekretariat/Zyrë/Agjenci në kuadër të Zyrës së
Kryeministrit, dhe nën përgjegjësinë e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Integrim (Maqedoni,
Bosnje);
- Ministria e Integrimit Evropian (Kosovë, Serbi);
- Ministria për Pune të Jashtme dhe Integrim Evropian
(Mali i Zi, Shqipëri).
Duke marr për bazë
përvojën e vendeve të rajonit, si dhe specifikat e procesit integrues, në
studimin tonë të radhës formulojmë 10
arsye përse modeli më i mirë i drejtimit të procesit integrues është nën
autoritetin e Kryeministrit.
- RËNDËSIA E PROCESIT INTEGRIMIT: procesi i integrimit
evropian nuk është thjesht një nga proceset. Ai është procesi më i
rëndësishëm shtetëror dhe përcaktim strategjik i shoqërisë sonë. 90% e
qytetarëve të Republikës së Kosovës mendojnë se anëtarësimi në BE është
gjë e mirë (RCC, BalkanBarometer,
2017). Duke qenë kështu, asnjë autoritet më i ultë se Kryeministri nuk
mund të bartë këtë peshë shtetërore.
- VENDIMMARRJAEFEKTIVE: Në procesin integrues nuk ka vendime të
lehta të cilat janë në juridiksionin e një ministrie. Vendimet në procesin
integrues kërkojnë marrjen e vendimeve të vështira për shoqërinë të cilat
mund t’i marrë vetëm Kryeministri. Rrjedhimisht, çfarëdo arkitekturë
institucionale e procesit integrues duhet të jetë e strukturuar në atë
formë që mundëson përfshirjen dhe vendimmarrjen e drejtpërdrejtë të
Kryeministrit në procesin integrues.
- VIZIBILITETI I PROCESIT INTEGRUES: Është esenciale
që Kryeministri, si titullar i Qeverisë, të marrë përgjegjësinë dhe
udhëheqjen në komunikimin e procesit integrues. Kjo e vendosë
Kryeministrin në epiqendër të komunikimit të procesit integrues me akterët
shoqërorë.
- LLOGARIDHËNIA: Kryeministri emëron, Kryeministri shkarkon. Kjo
fjali përmbledh esencën e argumentit të llogaridhënies në procesin më të
rëndësishëm reformues, siç është procesi integrues. Arkitektura
institucionale për procesin integrues duhet të jetë e dizajnuar ashtu që
në epiqendër të saj të jetë kërkesa për ndërmarrjen e reformave dhe
informimi i drejtë i Kryeministrit për të kërkuar llogaridhënie.
- KOORDINIM MË EFIÇIENT: Brenda Qeverisë ka shumë shefa,
por është një person vendimet e cilit janë të pakthyeshme dhe të
panegociueshme – vendimet e Kryeministrit. Prandaj, vetëm një autoritet
superior, siç është Kryeministri, mund të ofrojë peshën dhe autoritetin e
nevojshëm politik për të siguruar koordinimin efektiv të agjendës
evropiane, si brenda ashtu edhe jashtë Qeverisë.
- REFORMAT E BRENDSHME: Suksesi i procesit integrues
matet me numrin e rasteve të suksesshme në luftën kundër korrupsionit të
nivelit të lartë në Prishtinë, numrin e inspektimeve të vendeve të punës
në Pejë, numrin e impianteve të ujit të ndërtuara në Mitrovicë, apo numrin
e fëmijëve të regjistruar në arsimin parashkollor në Prizren.
Rrjedhimisht, duhet kuptuar saktë procesin integrues si proces ië
reformave të brendshme të cilat bëjnë të mundur një jetë më të mirë për
qytetarët e Kosovës, jo për qytetarët e Francës apo të Gjermanisë. Prandaj,
qasja thjeshtëzuese dhe e painformuar sipas së cilës procesi i integrimit
ka ndonjë të përbashkët me Ministrinë e Punëve të Jashtme është sa e
gabueshme po aq edhe fatale për procesin integrues.
- FQINJËSIA E MIRË DHE PROCESI INTEGRUES: Duke njohur
faktin se viteve të fundit jemi dëshmitarë të ndërlidhjes më të fuqishme
mes procesit integrues dhe fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimorë,
Kryeministri do të jetë në situatë ideale që të jetë pikë ndërlidhëse mes
dy proceseve, duke evituar kështu dikotominë mes tyre.
- KREDIBILITETI I FONDEVE TË BE-SË: Këto nuk janë
vetëm para, por janë çështje e kredibilitetit të shtetit të Kosovës.
Viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë se Kosova ka humbur fonde të BE-së
për shkak mospërmbushjes së obligimeve nga ana e institucioneve. Kjo është
e patolerueshme. Duke njohur peshën politike të fondeve të BE-së, si dhe
duke njohur pengesat të cilat mund të shfaqen në absorbimin e tyre, dhe të
cilat mund të tejkalohen vetëm më autoritetin e Kryeministrit, kjo e vë
Kryeministrin pozicion të pazëvendësueshëm në marrjen e përgjegjësive për
fondet e BE-së.
- KRIJIMI I QENDRËS QEVERITARE: Qeveria është një
institucion jashtëzakonisht kompleks dhe shumëdimensional. Ekzekutimi i
mandatit të Kryeministrit është ndërmarrje shumë komplekse politikë dhe
teknike. Çdo ditë Kryeministri vërshohet nga dhjetëra çështje urgjente,
dhe jo-urgjente, që konsumojnë vëmendjen, kohen dhe kapitalin e tij
politik. Procesi integrues imponon bashkimin e strukturës integruese me
qendrën e Qeverisë në mënyre që të sigurohet unifikim i plotë i procesit
integrues me politikat ditore të saj, duke fokusuar kështu vëmendjen e
Kryeministrit në çështjet më të rëndësishme dhe më urgjente. Çdo largim i
këtyre dy strukturave mbart me vete kosto për procesin integrues.
- FUQIZIM ADMINISTRATIV: Bashkimi Evropian, Gjermania,
Luksemburgu dhe Norvegjia kanë investuar deri më sot 43.7 milionë EURO në
avancimin e stafit përgjegjës për integrim evropian. Fuqizimi i stafit të
angazhuar në fushën e integrimit evropian, nën ombrellën e strukturës më
të lartë Qeveritare – Kryeministrit, do t’u mundësojë atyre që të
kontribuojnë në përshpejtim e ndërmarrjes së reformave evropiane, duke
marrë për bazë peshën e autoriteti që do të ushtrojnë nën autoritetin
suprem të Qeverisë.