Instituti EPIK ka publikuar dy infografika rreth ndikimit të dialogut me Serbinë në njohje dhe përfitimet e dy vendeve në procesin e integrimit, në të cilën shihet se dialogu ka ndikuar negativisht në njohjet e shtetësisë së Kosovës, ndërsa, është Serbia ajo që ka fituar në proceset integruese.
Instituti EPIK është ndalur te historiku i dialogut, ku më 8 mars 2011 fillojë dialogu Kosovë-Serbi, që kishte për bazë Rezolutën 64/298 të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në shtator të vitit 2010, ku Bashkimi Evropian do luante rolin e ndërmjetësuesit në këtë proces.
“Fillimisht dialogu kishte natyrë teknike i koncentruar në tri çështje kryesore: nxitjen e bashkëpunimit mes të dy vendeve, mbështetjen e procesit të integrimit Evropian; dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve, me theks të veçantë integrimin e strukturave paralele në kuadër të sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës. Pas arritjes së marrëveshjeve të para teknike u bë e qartë për të gjithë se ky dialog teknik po hap tema të cilat ndikojnë në çështjet e thella politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës. Aso kohe, krerët e shtetit deklaruan se dialogu me Serbinë për çështje politike nuk është në tryezat e Prishtinës, Brukselit dhe Uashingtonit. Njëkohësisht, qëndrimi i SHBA-ve i artikuluar nga ish Sekretarja Clinton ishte që SHBA-të janë kundër çfarëdo diskutimi për ndryshimit të kufijve apo rihapjes së pavarësisë së Kosovës. Ndërsa, në anën tjetër, kryenegociatori Serb, Borko Stefanoviq nënvizoj se ndarja është një nga objektivat që Beogradi shpreson të legjitimoj përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Në këtë kontekst, viti 2018 shënoj nisjen e diskutimit të idesë të shkëmbimit të territoreve, diskurs ky që shkaktoj konfuzitet, polarizim të shoqërisë dhe skenës politike, si dhe mos unifikim te faktorit ndërkombëtar. Hapja e temës se territorit, që krahas ushtrimit të pushtetit dhe popullsisë, përbëjnë tre elemente bazë për njohjen e shtetësisë së një vendi ka rrënuar fuqizimin e subjektivitet ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Ky institut thotë se ajo që kanë pa si rezultat i dialogut është që numri i njohjeve ka filluar dukshëm te bie që nga lansimi i tij.
“Në vitin 2011 kemi pas 12 njohje, më 2017 – 2 njohje dhe më 2018 – 1 njohje. Po ashtu, në vitin 2018 për herë të parë ishim dëshmitarë të veprimeve politike të vendeve të caktuara të cilat kanë dërguar nota verbale për tërheqje të njohjeve. Instituti EPIK konsideron se ideja e shkëmbimit të territoreve po rrënon fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, duke rikthyer rolin e Serbisë si vend përcaktues ne definimin e shtetësisë se Kosovës – të njohur nga 116 vende si dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e cila legalizoj Deklaratën e Pavarësisë se Kosovës si normën bazike të Kushtetues tonë. Përveç normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, dialogu kishte për qëllim avancimin e rrugës integruese të Kosovës dhe Serbisë. Pothuaj tetë vite pas lansimit të dialogut, Instituti EPIK konsideron se Serbia ka përfituar në mënyre asimetrike nga dialogu. Që nga fillimi i negociatave, Kosova lansoi procesin e liberalizimit të vizave dhe fitoj Marrëveshjen e Stabilizim Asocimi. Ndërsa, Serbia fitoi statusin e vendit kandidat, hapi negociatat e anëtarësimit dhe filloi negociatat në 16 kapituj”, thuhet në komunikatë.
Në këtë drejtim, Instituti EPIK konsideron se dialogu duhet të zhvillohet në premisa të respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Konsensusi duhet të ndërtohet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, gjithmonë duke respektuar rrugën juridiko-kushtetues të procesit për të ardhur deri te një konsensusi politik, dhe jo e kundërta.