“Epoka e Enverit, Epoka e Glaukut”, Halil Matoshi thotë se Konjufca e fshiu qëllimshëm Ramushin nga një foto në Gllogjan

Prishtinë | 24 Mar 2025 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

Kryeparlamentari Glauk Konjufca kujtoi dëshmorët pasi shkoi sot në Gllogjan për Epopenë e Dukagjinit, por e shmangu disi në një postim në Facebook kryepersonazhin e asaj beteje të lavdishme të 24 marsit të vitit 1998, Ramush Haradinajn.

Konjufca shkroi në Facebook për “sakrificën sublime të dëshmorëve Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj”, por në gjashtë fotografitë e publikuara në Facebook nga homazhet dhe manifestimi i sotëm në Gllogjan, Haradinaj shihet vetëm në njërën prej tyre, që përfshin pothuajse të gjithë pjesëmarrësit.

Ish-komandanti i UÇK-së për rajonin e Dukagjinit është lënë jashtë kuadrit në një fotografi. Ndonëse është pas Rifat Jasharit në rresht, në foto nuk është përfshirë Ramush Haradinaj.

Betejës, të cilën Konjufca e cilësoi “të shndritshme” në postimin e tij, i kishte prirë pikërisht Haradinaj.

Gazetari Halil Matoshi tha se Konjufca e përsëriti si farsë historinë e një tragjedie, duke kujtuar se si udhëheqësi diktatorial i Shqipërisë, Enver Hoxha, i fshinte dikur nga fotografia ish bashkëpunëtorët e tij.

“Historia përseritet – nji herë si tragjedi pastaj si farsë! Epoka e Enverit dhe epoka e Glaukut🎭“, shkroi Matoshi në një postim në Facebook.

Të ngjashme