Ish-Kryetari i Prizrenit, Eqrem Kryeziu, e ka publikuar një dokument me të cilin dëshmohet se Isa Mustafa kishte pozitë ekzekutive në Qeverinë e themeluar nga Jusuf Zejnullahu.
Kryeziu e ka publikuar këtë dokument duke ironizuar me “kandidatin e Baton Haxhiut për President” i cili ishte në pushtet në kohën kur Kosovës i ishte hequr autonomia.
Në kohën kur Eqrem Kryeziu ishte në pozitën e nënkryetarit të LDK-së, Isa Mustafa po e këshillonte për ekonomi Presidentin e atëhershëm të Kosovës, Fatmir Sejdiun, i cili kishte ngrirë pozitën e kryetarit të LDK-së, që formalisht po e ushtronte Eqrem Kryeziu.
Fatmir Sejdiu u shpall shkelës i Kushtetutës duke mbajtur dy pozita – një në shteti e tjetrën në parti – kurse Eqrem Kryeziu u largua nga politika.
Pas kësaj, Isa Mustafa u ngjit në krye të LDK-së, duke marrëk ështu edhe pozitën e kryeministrit ndërsa tani nuk po e mohon mundësinë të bëhet edhe president.
Ish-Kryetari i Prizrenit është treguar ironik sa herë ka folur për Isa Mustafën, duke thënë se ai ka përvojë shumë të gjatë në politikë.
E, sot, Kryziu ka publikuar një dokument me të cilin vërtetohet se Kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa, ishte pjesë e Qeverisë së Jusuf Zejnullahut.
Në atë qeveri, Isa Mustafa mbante pozitë të ngjashme me të ministrit ku ishte sekretar krahinor për Zhvillim, Shkencë, Informatikë dhe Bashkëpunim Shkencor – teknik me botën.
Qeveria e Jusuf Zejnullahit ishte betuar para Rrahman Morinës që ishte Kryetarit të Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës.
Ndryshe, Isa Mustafa ka mbajtur edhe pozita tjera, në kohën e luftës, ishte pjesë e Qeverisë së Bujar Bukoshit në Ekzil, duke mbajtur funksionin e Ministrit të Financave. Ka qenë edhe Kryetar i Prishtinës pas luftës. Edhe pjese e bordeve të ndërmarrjeve publike, duke përfshirë edhe Universitetin e Prishtinës.
Aktualisht, Isa Mustafa është kryetar i LDK-së, ndërsa në dy palë zgjedhje të fundit nuk ka garuar për kryeministër duke vendosur kështu Avdullah Hotin dhe Vjosa Osmanin në këto pozita, që nuk arritën të nxjerrin LDK-në fituese në zgjedhje.