Erdogan: Jam i pikëlluar për njerëzit që vuajnë nga shtypja dhe varfëria, edhe në ditët e bukura të Bajramit

Prishtinë | 03 Qer 2019 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se ndihet i pikëlluar për njerëzit që vuajnë nga shtypja dhe varfëria edhe në ditët e Bajramit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një mesazh me rastin e Fitër Bajramit, Erdogan falënderoi Allahun që, siç tha, mundësoi arritjen e një bajrami në të cilin “të zemëruarit pajtohen, të ndarët bashkohen, radhët forcohen, shpresat riparohen dhe zemrat rrahin me entuziazëm”.

“Krahas kësaj, fakti që madje edhe në këto ditë të bekuara të Bajramit në botë kemi vëllezër që vuajnë nga tirania dhe luftojnë me varfërinë, na i pikëllon zemrat tona”, theksoi presidenti i Turqisë.

Kreu i shtetit turk thekson se edhe në ditët e bukura të bajramit në botë kemi vëllezër dhe motra që janë të shtypur.

“Urojmë që bajramet të kalojnë në një atmosferë festive me kuptimin e vërtetë të fjalës për të gjithë qytetarët tanë, muslimanët dhe njerëzimin”, shtoi Erdogan.

Ai tha se Turqia vazhdon të jetë shpresë për gjithë njerëzimin me demokracinë dhe ekonominë e saj, pavarësisht nga sulmet terroriste dhe kurthet.

“Turqia vazhdon të jetë shpresë për të gjithë miqtë dhe njerëzimin edhe pse është e ekspozuar ndaj sulmeve terroriste, bllokadave dhe kurtheve, duke qëndruar e palëkundur me demokracinë dhe ekonominë e saj”, tha Erdoğan në mesazhin e tij.

Duke theksuar se bota është duke kaluar në një ndryshim thelbësor, ai tha se Turqia është gati t’i bëjë ballë kësaj periudhe kritike me gjithë forcën e saj.

Ai shtoi se Turqia qëndron në një pozicion të favorshëm me investimet, projektet dhe shërbimet publike të cilat janë realizuar në 17 vitet e fundit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme