Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u kritikua për shfaqjen e disa pamjeve nga sulmi në Zelandën e Re, për të rritur mbështetjen në tubimet zgjedhore.
Erdogan tha se një pjesë e manifestit të sulmuesit të dyshuar, Brenton Tarrant, ka pasur për qëllim të nxjerrë turqit jashtë Evropës.
Në një tubim zgjedhor të dielën, Erdogan tha se i dyshuari e ka vizituar Turqinë dy herë dhe se ka dashur që myslimanët turq të largohen nga territori evropian i Turqisë për në anën perëndimore të Ngushticës së Bosforit.
Ministri i Jashtëm i Zelandës së Re, Winston Peters, i porositi zyrtarët turq se shfaqja e videove “është e padrejtë” dhe se rrezikon qytetarët e tij jashtë vendit.
Pesëdhjetë persona janë vrarë në sulmin e së premtes në dy xhami në qytetin Kristçërç të Zelandës së Re.
Sulmuesi i dyshuar e ka transmetuar drejtpërdrejt aktin e tij në Facebook.
Në Zelandën e Re pamjet janë klasifikuar si një “publikim shqetësues” dhe shpërndarja ose posedimi i tyre konsiderohen shkelje.
Facebook ka thënë se ka fshirë 1.5 milion video të sulmit në mbarë botën, gjatë 24 orëve të para.