Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se “Ne e shohim veten në Evropë, jo diku tjetër, ne parashikojmë që të ardhmen tonë ta ndërtojmë bashkë me Evropën”.
Nëpërmjet lidhjes direkte nga rezidenca Vahdettin në Stamboll, Erdogan mbajti një fjalim në Kongresin e 7-të të zakonshëm të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në qytetet Kütahya, Afyonkarahisar, Batman dhe Siirt.
Ai tha se synojnë të mos luftojnë me askënd as brenda dhe as jashtë, të mos shkelin të drejtat, legjitimitetin dhe qëndrimin legjitim të askujt. Erdoğan thotë se duan të jenë në një bashkëpunim më të fortë me miqtë dhe aleatët e tyre.
“Ne presim që Bashkimi Evropian të mbajë premtimet që na ka dhënë, të mos bëjë diskriminim ose të paktën të mos bëhet vegël për armiqësitë kundër vendit tonë. Ne e shohim veten në Evropë, jo diku tjetër. Ne parashikojmë që të ardhmen tonë ta ndërtojmë bashkë me Evropën. Marrëdhëniet tona të gjata dhe të afërta të aleancës me SHBA-në dëshirojmë t’i përdorim në mënyrë aktive në zgjidhjen e çështjeve rajonale dhe globale. Ne kurrë nuk mund të injorojmë vendet si Rusia dhe Irani që kemi marrëdhënie historike të rrënjosura”, tha Erdogan.
Më tej Erdogan tregoi se ata kanë marrëdhënie shumë të thella me botën islame dhe botën turke, ku herë-herë së bashku dhe herë-herë veçmas.
“Ne kërkojmë të përmirësojmë bashkëpunimin tonë me pothuajse të gjitha paktet rajonale në botë. Ne përpiqemi për zgjidhje të bazuara në integritetin territorial dhe unitetin politik kudo që të përfshihemi, nga Siria në Libi. Askush brenda kësaj fotografie nuk ka të drejtë të akuzojë, të izolojë, të kërcënojë me argumente plotësisht te rreme ose të gabuara Turqinë. Në çdo gjë që kryejmë, veprojmë me një qasje që vëzhgon të drejtën, legjitimitetin, drejtësinë e viktimave dhe të shtypurve”, tha Erdogan duke shtuar:
“Edhe ndaj vendit tonë presim qasje me të njëjtën ndjeshmëri. Ne besojmë se asnjë vend dhe organizatë dinjitoze nuk do të pranojë që të shndërrohen në një lodër në duart e organizatave terroriste dhe lobeve të cilët armiqësinë ndaj Turqisë e kanë bërë qëllim të jetës”.