Turqia ka në plan të hapë një ambasadë në Jeruzalemin Lindor, duke e njohur atë si kryeqytet të Palestinës.
Deklarata u bë të dielën nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan, pak ditë pas thirrjeve në një samit të liderëve myslimanë për botën, që ta bëjnë të njëjtën gjë, ta njohin atë si kryeqytetin e Palestinës. Nuk është ende e qartë se si do të vihet në zbatim ky plan nga autoritetet turke, pasi Izraeli kontrollon të gjithë Jeruzalemin dhe e quan qytetin kryeqytetin e tij të pandashëm.
Ndërsa palestinezët e cilësojnë këtë tokë si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm të njohur nga OKB, siç kanë qenë kufijtë përpara se Izraeli ta pushtonte Jeruzalemin Lindor, në luftën e vitit 1967, duke e aneksuar me një lëvizje që nuk u njoh ndërkombëtarisht si e ligjshme.
Samiti i kombit mysliman ishte një përgjigje ndaj vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, që më 6 dhjetor të këtij viti, të njihte Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit. Ky veprim ka kthyer në drejtim të kundërt politikat e jashtme shtatëdhjetëvjeçare të SHBA-ve, si dhe konsensusin ndërkombëtar mbi këtë çështje, se statusi i qytetit duhet t’i lihet negociatave izraelito-palestineze për paqe.
Erdogan tha në një fjalim për anëtarët e Partisë së tij, AK në provincën jugore, Karaman, se konsullata e përgjithshme turke në Jeruzalem ishte tashmë e përfaqësuar nga një ambasador.
“Me vullnetin e Zotit, dita është afër, kur, zyrtarisht, me lejen e Perëndisë, ne do të hapim ambasadën tonë atje”, tha Erdogan. Jeruzalemi, i respektuar nga hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët, është shtëpia e faltores së tretë më të shenjtë të Islamit, si dhe Murit Perëndimor të Judaizmit, edhe në sektorin lindor, dhe ka qenë në qendër të konfliktit izraelitopalestinez për dekada të tëra. Ambasadat e huaja në Izrael, përfshirë Turqinë, janë të vendosura në Tel Aviv, duke pasqyruar statusin e pazgjidhur të Jeruzalemit.
Në një tjetër takim në Stamboll, Erdogan tha se “Nëse humbet Jeruzalemi, nuk do të mund ta mbrojmë Medinën. Nëse humbet Medina, nuk do të mund ta mbrojmë Mekën. Nëse shkon Meka, do ta humbasim edhe Qabenë”.
Ai shtoi se, “Mos harroni se Jeruzalem do të thotë Stamboll, Islamabad, Xhakarta. Medina do të thotë Kajro, Damask, Bagdad. Qabe do të thotë nder, dinjitet dhe qëllimi i ekzistencës për të gjithë ne si myslimanë. Ne nuk do të heqim dorë nga asnjëra prej këtyre. Do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për t’u dalë zot urdhrave të Allahut dhe amanetit të paraardhësve tanë”