Çdo ditë ne avancojmë. Fondacioni ynë Maarif në Shqipëri vazhdon procesin e marrjes së kontrollit ndaj institucioneve të atjeshme arsimore që financohen nga FETO.
Është presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan i cili sërish ka folur për Shqipërinë duke treguar se po ndërhyn në punët e brendshme të vendit tonë, shkruan Syri.
Deklarata e tij është bërë në një fjalim para studentëve të huaj, të cilët studiojnë në Turqi, Presidenti i vendit Recep Tayyip Erdogan u shpreh se dita-ditës vendi po bëhej gjithnjë e më i fuqishëm.
Në fjalën e tij ai nuk kurseu kritikat as për vendet që mbështesin lëvizjen e Fetullah Gulen, përfshirë dhe vendin tonë
‘Ju pëlqen apo jo, Turqia do të vazhdojë të jetë gjithnjë e më e fuqishme’, deklaroi presidenti turk në Stamboll, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e mbylljes së takimeve ndërkombëtare të studentëve, e organizuar nga Federata e Shoqatave Ndërkombëtare Studentore.
Duke folur për studentët nga jashtë, të cilët shkollohen në universitetet në Turqi, Erdogan tha se në vend janë aktualisht 115 mijë studentë të huaj, ndërsa objektivi është që numri i tyre të arrijë në 350 mijë.
Kjo sepse, sipas Erdogan, Turqia duhet të jetë mes pesë vendeve që kanë më shumë studentë të huaj. Ai shtoi se janë marrë masat e nevojshme parandaluese që nga pranimi i studentëve, procesit të studiuarit, dhe deri në diplomimin e tyre, studentët të mos shfrytëzohen nga organizatat terroriste FETO, e cila, siç tha ai, është armik i islamit dhe Turqisë.
Duke iu referuar vendit tonë, Presidenti turk tha se Shqipëria për fat të keq është nën një lloj të pushtimit të organizatës terroriste FETO.
‘Sigurisht, ne vazhdojmë bisedimet. Herët a vonë ne do ta shkatërrojmë këtë lëvizje. Çdo ditë ne avancojmë, Fondacioni ynë Maarif në Shqipëri vazhdon procesin e marrjes së kontrollit ndaj institucioneve të atjeshme arsimore’, shtoi ai.
Duke komentuar rreth qëndrimit të Francës ndaj Turqisë, ai tha se i pëlqen apo nuk i pëlqen Francës, vendi i tij do të jetë gjithnjë e më i fuqishëm.
Erdogan gjithashtu kritikoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Duke theksuar se aktualisht nuk ka asnjë vend me popullsi myslimane në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ai theksoi se OKB është krijuar për të vendosur drejtësinë.