Atentatet e Stambollit janë një shkas për qeverinë e Ankarasë që të arrestojë një numër të madh politikanësh opozitarë. Luftën kundër terrorit kjo nuk e ndihmon.
Megjithëse shteti turk lufton prej muajsh me të gjitha mjetet kundër terrorit, nëpërmjet atentateve të së shtunës e humbën jetën deri tani 44 vetë – në mes të Stambollit. Vetëm një orë pas shpërthimeve u arrestuan 13 persona të dyshuar dhe pak më vonë autoritetet turke u treguan të bindura se pas atentateve vrastare qëndron Partia Punëtore Kurde PKK, e cila është e ndaluar.
Tani, përmes deklaratës së Skifterëve të Lirisë të Kurdistanit ne e dimë se nuk ishte PKK, por një grup i afërt me të. Qeveria turke ishte me gjykimin e saj të shpejtë jo kaq e saktë. Por përsa i përket çështjes, kjo përbën një ndryshim.
Nga partner i paqes në klub terrorist
Në një kohë kur Skifterët e Lirisë së Kurdistanit deri tani janë dalluar si grup vetëm përmes atentateve të tyre të përgjakshme, PKK qe për shtetin turk deri një vit e gjysmë më parë ende si partnere negociatash për paqen. Që pikërisht këtë parti ta akuzosh menjëherë si përgjegjëse për atentatin, do të thotë njëkohësisht që ta diskreditosh atë si partnere negociatash për negociata eventuale të ardhme të paqes. Kush mund të negociojë me terroristë, që vrasin dyzina policësh? Por pa PKK nuk mund të ketë paqe në Juglindje të Turqisë, dhe pa paqe në Juglindje, terrori përcillet në qytete, siç e pamë këtë fundjavë në mënyrë të tmerrshme.
Me qëndrimin e saj të pa-kompromis kundër PKK, qeveria e Erdoganit eliminon të gjitha shanset për paqe. Negociata me PKK nuk do të garantonin që nuk do të kishte atentate të organizatave të tjera, si të Skifterëve të Lirisë të Kurdistanit. Por rreziku do të pakësohej. Sjellja e qeverisë turke zgjon megjithatë përshtypjen se ajo nuk është e interesuar për paqe me kurdët. Po nëse është e interesuar? Që konflikti ushtarakisht vetëm mund të shtypet, por nuk mund të zgjidhet, këtë e treguan 30 vitet e fundit.
Krahas kësaj, duket gati groteske, që shteti turk përndjek me angazhim të madh të supozuar si terroristë dhe mbështetës të terrorizmit, burgos mijëra nëpunës civilë, juristë, profesorë dhe gazetarë. Vetëm javën e kaluar u arrestuan 56 punonjës të shkollave të larta, të cilët besohet se janë të gjithë mbështetës të terrorizmit – edhe nëse ndoshta ata nuk kanë vrarë askënd dhe nuk kanë ndërtuar as lëndë shpërthyese. Kurse atentatet e së shtunës tani ofrojnë pretekstin e arrestimit të më shumë se njëqind politikanëve të partisë pro-kurde HDP. Kjo do të ishte e justifikuar nëse secilit prej tyre do t’u dëshmohej një pjesëmarrje në akt ose të paktën dijeni për të.
Provokimi i atentateve të reja
Me këmbëngulje të krijohet përshtypja se qeveria po ndjek të gabuarit. Çfarë roli luan shërbimi i fshehtë, i cili me sa duket nuk ia kishte idenë për sulmet, por një orë më vonë e dinte se kush ishin dorasit e supozuar? Edhe nëse qeveria do ta pyesë veten për këtë – kjo nuk do të bëjë shumë dobi. Ajo do të shohë në atentatet vetëm një shkak për t’i luftuar edhe më fort kurdët në Juglindje, duke provokuar me këtë atentate të reja – kudo qoftë dhe prej kujtdo qoftë.(DW)