Presidenti turk Rece Tayyip Erdogan pranoi një avion luksoz prej 400 milionë dollarësh nga emiri i Katarit javën e shkuar, duke shkaktuar një valë kritikash nga kundërshtarët politikë, bën të ditur “Zëri i Amerikës”.
Në përgjigje të akuzave, Erdogan tha të hënën se avioni Boeing 747-8 ishte një “dhuratë” nga emiri Tamim Bin Hamad Bin Al Thani, duke hedhur poshtë pretendimet se avioni ishte blerë. Udhëheqësi turk u tha gazetarëve se Ankaraja kishte qenë e interesuar për ta blerë avionin, por emiri këmbënguli ta ofronte atë si dhuratë.
Zoti Erdogan pohoi gjithashtu se avioni i përkiste popullit të Turqisë dhe jo atij personalisht, duke shtuar se ai do ta përdorte avionin për udhëtimet e tij. Sipas njoftimeve, avioni ka disa salla konferencash madje edhe një spital funksional. Aeroplani i madh është projektuar për të transportuar 76 pasagjerë.
Presidenti turk e bëri të ditur çmimin prej 400 milionë dollarësh të avionit pasi u përball me pyetje lidhur me koston dhe kur një anëtar i partisë opozitare kërkoi hetim zyrtar për çështjen. Erdogan është vënë para kritikash në të kaluarën për shpenzime të tilla si një pallat presidencial dhe një flotë automjetesh luksoze. Turqia po përballet me inflacionin dyshifror dhe vështirësi valutore.
Doha ka kërkuar lidhje më të ngushta me Ankaranë, pasi marrëdhëniet midis Katarit dhe fqinjëve të tij në Gjirin e Arabisë janë përkeqësuar lidhur me mbështetjen e supozuar të këtij vendi për ekstremistët myslimanë. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti prenë marrëdhëniet diplomatike, tregtare dhe të transportit me Katarin vitin e kaluar, duke thënë se ai mbështet terrorizmin. Katari i ka mohuar akuzat.