Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka premtuar për herë të parë se do të heqë gjendjen e jashtëzakonshme gati dyvjeçare, në rast se fiton zgjedhjet e këtij muaji, transmeton AFP.
Erdogan ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme pesë ditë pas tentimeve të dështura për puç më 15 korrik 2016.
Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar më shumë se 55,000 persona.
Kjo gjendje është kthyer në temë të fushatës për zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale që do të mbahen më 24 qershor, pasi partitë opozitare kanë premtuar se do t’i japin fund të njëjtës.
“Pas 24 qershorit, nëse më jepet e drejta për të vazhduar punën në zyrë, me vullnetin e Zotit, puna jonë e parë do të jetë heqja e gjendjes së jashtëzakonshme”, ka thënë Erdogan në një intervistë për televizionin 24.
Komentet e tij kanë ardhur pasi edhe kandidatët tjerë kanë premtuar heqjen e kësaj mase.
Gjendja e jashtëzakonshme është kritikuar nga aktivistët, të cilët kanë thënë se masa është përdodrur kundër të gjithë kundërshtarëve të Erdoganit dhe jo vetëm organizatorëve të grushtshetit.
Autoritetet turke fajësojnë klerikun fetar, Fethullah Gulen për tentimet e dështura për puç derisa ky i fundit i kundërshton akuzat.